“Home” është shembull i bashkimit rreth një kauze

“Home” është shembull i bashkimit rreth një kauze

23 February 2017 10:01

Prishtinë, 23 shkurt- Imazhi i aktorit Jack O’Connell tek ikën nga një zonë lufte bashkë me një fëmijë shihet në sfond, derisa ata që e realizuan filmin flasin për prapaskenat që e shoqëruan finalizimin e punës deri te posteri i “Home”.

Në tavolinë, para ekipit është vendosur statueta e “Baftas” - njëri nga çmimet më me nam për kinematografinë. Kjo edhe qe arsyeja përse ekipi kosovar i filmit 20-minutash, nën regji të Daniel Mulloyt, u takua edhe një herë. Kësaj radhe jo në shesh xhirimi, por në ambientet e Kinemasë ABC. Mulloy, bashkë me producentët e pjesëmarrësit e tjerë në projektin që shënoi kthesë historike për kinematografinë kosovare, të mërkurën mbajti një konferencë për media.

U rrëfyen shumë histori që kishin ngjarë gjatë kohës kur “Home” po merrte formë për t’u shndërruar në film, që tashmë konsiderohet frymëzim për njerëzit e fushës së kulturës në Kosovë. Të dielën e 12 shkurtit, në skenën e ceremonisë së 70-të të çmimeve që ndanë Akademia Britanike e Filmit dhe e Arteve Televizive, Mulloy ia rikujtoi botës edhe një herë refugjatët e Kosovës, tek përcolli mesazh universal se bota duhet t’ua hapë dyert refugjatëve.

Në Prishtinë, Mulloy ka thënë se Kosova ka qenë vendi më i mirë i mundshëm për të realizuar një film si “Home”, që trajton fatin e refugjatëve në një perspektivë universale dhe i bën shikuesit të mendojnë se kushdo mund ta ketë një fat të tillë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme