Kulturë

“Skena Verore” është gati për ngjarjet kulturore në Kalanë e Ulqinit

Qendra për Kulturë e qytetit bregdetar në Mal të Zi, këtë verë do ta organizojë edicionin e tridhjetenjëtë të festivalit “Skena Verore”.

Festivali kulturor që tradicionalisht mbahet në Muzeun e Kalasë së Ulqinit, do të sjellë për turistët, mbrëmje poetike, shfaqje të teatrit, ekspozita dhe panele diskutimi.

Për një muaj, festivali që organizohet tash tri dekada, do të sjellë edhe koncerte të muzikës klasike, qytetare e folklorike, raporton “Express” i KTV-së.

Netët e “Skenës Verore”, sipas drejtorit të Qendrës për Kulturë, Musa Hoxhiq, do të hapen me koncertin e tenorit Kastriot Tusha dhe sopranos Gjylie Pelingu.

Teatrot e ndryshme nga viset shqiptare do të jenë pjesë e programit të sivjetmë të festivalit me shfaqjet e tyre.

Krahas “Skenës Verore”, nga fundi i muajit korrik, në Ulqin do të mbahet edicioni i nëntëmbëdhjetë i panairit të librit, me botues nga shtetet ballkanike.

Qendra e Kulturore e Ulqinit gjatë gjithë vitit, do të organizojë aktivitete të ndryshme.

Festivali “Skena Verore” sivjet mbahet nga data 19 korrik deri më 19 gusht në Ulqin.