Kulturë

Ndahen çmimet për më të dalluarit në “Pianisti i Ri 2019”

Descriptive Text

Gara e pianistëve të rinj, e përmbylli maratonën me ndarjen e çmimeve për talentet e dalluar. Në natën finale të edicionit të 12-të të “Pianistit të Ri 2019”, u ndanë 7 çmime kryesore si dhe çmime speciale dhe pjesë e garës ishin gjithsej 19 pjesëmarrës.

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, çmimi kryesor i festivalit “Pianisti i Ri” iu nda Herman Med Cerishës, i cili u shpreh i emocionuar që pati rastin të interpretojë para një publiku shumë të dashur për të, transmeton emisioni Express në KTV.

Pianistja Ilayda Karsidag mori çmimin “DAM Recital” dhe “FAHRI BEQIRI” të cilin e ndau vetë kompozitori, ndërsa çmimi “Istanbul ULUCAN” iu nda fitueses së edicionit të kaluar, Kristel Karagjozi.

Organizatorët dhe mbështetësit e Festivalit “Pianisti i ri 2019”, thanë se edicioni i 12-të i garës së pianistëve të rinj u finalizua me sukses.

Çmimi i tretë i “Pianistit të ri” iu dha pianistit Arda Mustafaoglut, ndërsa i dyti shkoi për Idil Simsek, ndërsa çmime speciale u ndanë për Kledi Pepaj, Nikol Tuka, Lisa Sahatçiu, Uras Duzen, Ledian Shala dhe Jon Ahmeti.