Kulturë

Bateristët e rinj hedhin një tjetër hap drejt skenës

Bateristët mbajnë ritmin dhe e orientojnë orkestrën në vijën e duhur. Pa ta nuk bëhet muzika. E kjo u dëshmua më së miri nga bateristët e rinj të shkollës “Tony Drum Studio”, që performuan rreth një orë një përzgjedhje këngësh të Michael Jacksonit. Të hënën mbrëma, për të gjashtën vit me radhë, bateristët e rinj i ofruan publikut në “Kino Armata” momente të veçanta.

Ashtu siç ishte paralajmëruar si “shfaqje unike”, si e vetmja e llojit të saj në Kosovë, mbrëmja e së hënës u shoqërua me performimin e tetë bateristëve të rinj nën udhëheqjen e Faton Aliut, që prej vitesh udhëheq kursin profesional për bateristë të të gjitha zhanreve muzikore. Në hapje të koncertit, daullistët e rinj performuan në të njëjtën kohë disa këngë, mes të cilëve edhe “We will rock you”, një hit himn për perkusionistët gjithandej botës, shkruan sot Koha Ditore.

Ata përcollën gjatë tërë kohës muzikën live të këngëve të interpretuara nga Vala Mulliqi, Denis Rexhepi (kitarë) dhe Fatjon Miftari (piano). Pas përfundimit të koncertit, Faton Aliu, themelues i shkollës “Tony Drum Studio”, ka thënë se dhënia e një koncerti të tillë për nder të çlirimit të Prishtinës është një motiv për punën e të gjithë studentëve.

Si e para shkollë e suksesshme për bateri në trojet shqiptare, "Tony Drum Studio" është themeluar në vitin 2013. Me bateristët e rinj që i janë bashkuar gjatë këtyre viteve, kjo shkollë ka fituar dy vjet radhazi në festivalin ndërkombëtar të perkusioneve "Art-In", që mbahet në Shkup. Studioja menaxhohet me nismën e vetë themeluesit të saj, por edhe me financim të pjesshëm nga studentë dhe individë të tjerë vullnetarë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")