Kulturë

Nata magjike e “Nouvelle Vague” në “Lumbardh”

Prizren, 24 qershor – Kthimi pas 8 vjetësh në Kosovë ka qenë magjik për bendin francez “Nouvelle Vague”. Koncerti i tyre nën qiellin e hapur në Prizren ka mbushur përplot kopshtin e kinemasë “Lumbardhi”.

Audienca e përbërë prej moshave të ndryshme ka vallëzuar njëjtë nën ritmin e këngëve të bendit të njohur. Madje vallëzimi energjik gjatë ekzekutimit të këngës “Ever fallen in love” ka krijuar përshtypjen se personat poshtë skenës dhe ata në skenë kanë lidhje dashurie mes vete. Ndërkohë kësaj harmonie thuajse i është bashkuar edhe vetë natyra, pasi që nën ndikimin e erës së lehtë edhe gjethet e plepave të gjatë në oborrin e “Lumbardhit” kanë lëvizur sikurse duart e ngritura të publikut prezent. Atmosfera e krijuar në këtë vend ka bërë që edhe anëtarët e bendit të ndihen mirë.

“Ndihemi shumë mirë në Kosovë”, ka thënë vokalistja Elodie Frege në skenë, duke përshëndetur publikun.

“Nouvelle Vague” ka ndaluar në Kosovë në kuadër të turneut vjetor për shënimin e 15-vjetorit të bendit. Para tyre, mbrëmjen muzikore e kanë hapur trioja e përbërë nga vokalistja Agona Shporta, jazz-pianisti Ilir Bajri dhe kitaristi Armend Xhaferi, duke ofruar një rimishërim të jazz dhe blues në një natë pranverore.

Ky koncert, si tërësi, është realizuar si pjesë e ciklit të koncerteve “Lumbardhi n’behar” në Prizren.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")