Kulturë

“Bllaca” – dëshmi e Holokaustit shqiptar

“Mos u kthe në shtëpi pa një kokë kosovari!” – ishin fjalët e një ushtari serb që kishin mbërritur në Maqedoni, në prillin e vitit 1999 nëpërmjet një shqiptari të plagosur në Kosovë. Dhe Emin Azemi, themelues dhe kryeredaktor i gazetës së vetme të pavarur shqiptare në Maqedoni, do t’i vinte në titullin e shkrimit të datës 30 të atij fundprilli tragjik, shkruan sot Koha Ditore.

“Kërkesa makabre, e dëgjuar vetëm nëpër tragjeditë mesjetare, është zbuluar fare rastësisht në çantën e një ushtari serb në Kosovë. Arben R., i plagosur në njërën nga betejat e ditëve të fundit me forcat serbe dhe tani i shtrirë në Spitalin Qendror të Ushtrisë (maqedonase,v.j.), tregon se kjo letër është zbuluar në çantën e ushtarit Dragan K, nga Shumadia e zonës së Kralevës në Serbi”, shkruan Azemi në shkrimin e përfshirë në librin prej 342 faqesh, “Bllaca: Dhimbja e lirisë”. Libri, i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përfshin shkrime e fotografi të Azemit dhe të gazetarëve e fotoreporterëve të “Faktit”. “Bllaca ...” pas Shkupit është promovuar të premten edhe në Prishtinë në amfiteatrin e bibliotekës kombëtare, “Pjetër Bogdani”.

I emocionuar në fillim të fjalimit, Azemi – i cili e ka quajtur festë promovimin në njëzetvjetorin e çlirimit të Kosovës – e ka marrë veten vetëm pas duartrokitjeve të jo më shumë se pesëdhjetë të pranishmëve.

“Është festë jo vetëm për librin, por është festë kombëtare, sepse në muajin qershor jemi çliruar nga okupatori serb”, ka thënë publicisti nga Maqedonia. “Ky libër në fakt është testament; dihet se njerëzit e vdekur lënë testament për njerëzit e gjallë, por ky libër është nga njerëzit e gjallë për njerëzit e gjallë”, ka thënë Azemi. Ai refuzon t’i quajë refugjatë rreth 440 mijë shqiptarët e Kosovës të dëbuar nga forcat serbe në Maqedoni. “Jemi vëllezër gjaku”.

 (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)