Kulturë

Shkolla “HB-Atelier” ekspozon veprat e nxënësve

Shkolla e artit “HB-Atelier”, në kuadër të së cilës funksionon edhe galeria me të njëjtin emër, ka për qëllim promovimin e talenteve të rinj.

Vijuesit e kësaj shkolle, të udhëhequr nga piktorja Hyrie Shaqiri, e kanë dëshmuar potencialin artistik nëpërmjet veprave që janë përmbledhur në një ekspozitë të përbashkët, transmeton emisioni Express në KTV.

E titulluar “Rrugëtimi”, kjo ekspozitë pasqyron punën e studentëve që janë pjesë e kësaj shkolle arti të themeluar vitin që shkoi.

Talentët e rinj, gjithë imagjinatën krijuese e kanë shprehur nëpërmjet veprave artistike.

Punimet e nxënësve dhe studentëve në fushën e pikturës janë përplot kolorit dhe ekspozita jo rastësisht e ka marrë titullin “Rrugëtimi”.

Udhëheqësja dhe njëkohësisht mësuesja e kësaj shkolle është shprehur e kënaqur me punën e krijuesve të rinj.

Preokupimi i talenteve të rinj në veprat e ekspozuara është rrugëtimi drejtë universit dhe fantazisë krijuese.

“HB-Atelier” përveç ekspozitave, organizon edhe aktivitete kulturore dhe misione humanitare për fëmijë dhe të rritur.