Kulturë

Muzeu i Louvreit nis rezervimet për ekspozitën “Leonardo da Vinci”

Paris, 19 qershor – Muzeu i Lovreit ka hapur rezervimet për ekspozitën e madhe me veprat e Leonardo da Vincit. Këtë e ka bërë katër muaj para hapjes së saj, e që pritet të jetë një prej ngjarjeve madhore me të cilën shënohet 500-vjetori i vdekjes së maestros së Renesancës. Mundësia për rezervime është hapur të hënën, përderisa autoritetet kanë bërë me dije se për ngjarjen që nis më 24 tetor nuk do të ketë bileta në formë klasike, por vetëm nëpërmjet ueb-faqes ticketlouvre.fr.

“Për shkak se presim që të ketë shumë radhë, ekspozita do të jetë e qasshme vetëm në orare të caktuara, me qëllim të sigurojmë që vizitat të jenë sa më të rehatshme”, thuhet në njoftimin e Muzeut të Louvreit. “Kjo vlen për të gjithë vizitorët, përfshirë edhe ata që kanë qasje të lirë në muze”, shkruhet më tej.

Muzeu i Louvreit, krahas veprave të tjera, ka në pronësi kryeveprën e Leonardo da Vincit, “Mona Lisën”, ashtu sikurse edhe 22 vizatime. “Mona Lisa” ishte në mesin e tri veprave të preferuara të Da Vincit krahas “Shën Ana, Zoja, fëmija dhe engjëlli” dhe “Shën Gjoni Pagëzori”, të cilën e solli me vete në Francë, ku vdiq 500 vjet më parë, më 2 maj.

Ekspozita përfshin rreth 120 vepra të tij – piktura, vizatime, dorëshkrime, skulptura dhe të tjera artefakte – të huazuara nga disa prej institucioneve me prestigjioze evropiane e amerikane, si Koleksioni Mbretëror i Britanisë, Muzeu Britanik, Galeria Kombëtare e Londrës, Pinakoteka e Vatikanit, Muzeu Metropolitan i New Yorkut dhe Instituti i Francës. Negociatat me Italinë ende vazhdojnë pasi Qeveria e krahut të djathtë revokoi atë që autoritetet franceze kishin arritur me Qeverinë paraprake. Të dyja palët ende nuk kanë një marrëveshje definitive për veprat që mund të huazojnë.

Vetëm vitin e kaluar Muzeu i Louvreit ka shënuar 10.2 milionë vizitorë, përderisa ekspozita me veprat e maestros, e cila do të jetë e hapur deri më 24 shkurt të 2020-s, pritet të jetë një rekord më vete.

Leonardo u lind më 15 prill 1452 në Anchiano, në rrethinën e Komunës e Vincit në Toskanë. Prindërit e tij, një noter dhe një vajzë 16-vjeçare nuk ishin të martuar, kështu që Leonardo u rrit me gjyshin e tij. Ai e dashuronte vizatimin dhe kështu arriti të merrte një pozitë në studion e skulptorit të njohur Andrea del Verrocchio. Verrocchio realizoi të hyra nga familja Medici - tregtarët dhe bankierët që kontrolluan Firencën me fuqinë dhe paratë e tyre për shekuj.

Por sikur bota të përqendrohej vetëm te pikturat e tij, do t’i hynte në hak Leonardo da Vincit. Për një arsye, pasi pas vetes nuk ka edhe aq shumë piktura. Vetëm një duzinë e mirë i atribuohet qartësisht atij. Kësisoj ai ka lënë prapa skica studimesh anatomie, kopje e shkrime të shkruara në pasqyrë, që nuk kanë të bëjnë fare me artin, sikur dizajnime për tanke, avionë ose pajisje për zhytje. Ai gjithashtu ka konstruktuar ura dhe ka dizajnuar qytete të tëra, por shumica e ideve të tij nuk u realizuan kurrë.

Firence, Milanoja dhe Roma – kryeqendra të Renesancës ishin domeni i tij. Aty ai gjeti klientët e tij: familje të pasura e në mesin e klientëve bënte pjesë edhe Papa. Më 1516, Mbreti Francis I i Francës e ftoi atë në shtëpinë e tij, e pagoi mirë dhe i dha atij liri që të përkushtohej në projektet e tij. Një nga detyrat e tij ishte të organizonte festime të mahnitshme atje.

Gjeniu universal vdiq më 2 maj të vitit 1519 në Château Clos Lucé. Legjenda thotë se ai dha frymën e fundit në duart e mbretit të Francës/AFP.