Kulturë

Ka vdekur regjisori Franco Zeffirelli, i fundit i gjeneratës së gjigantëve italianë

Romë, 17 qershor (Reuters) – Franco Zeffirelli, i cili ka drejtuar operat më të njohura dhe e ka sjellë në kinema Shekespearein, ka vdekur. Ai ishte 96-vjeçar. Në një njoftim nga fondacioni i tij thuhet se ai ka vdekur në Romë të shtunën. “Mirupafshim Maestro!”, thuhet në njoftim.

Shpeshherë i çmuar më shumë nga publiku sesa nga kritika, Zeffirelli ishte i fundit nga gjenerata italiane e gjigantëve, të cilët erdhën pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë regjisorët Federico Fellini, Luchino Visconti dhe Vittorio de Sica. Ai ishte regjisor i më shumë së 24 filmave dhe ka punuar me yje si: Elizabeth Taylor, Richard Burton, Laurence Olivier, Alec Guinness, Faye Dunaway dhe Jon Voight.

“Franco Zeffirelli, një nga njerëzit me të mëdhenj të kulturës, ka ndërruar jetë këtë mëngjes”, ka thënë kryebashkiaku i qytetit të Firences, Dario Nardella, në një postim në Twitter. “Mirupafshim i dashur Maestro, Firenca nuk do t’ju harrojë!”.

Zëvendëskryeministri italian Luigi di Maio ka thënë se Zeffirelli do të “mbesë në zemrën dhe në historinë e vendit”. Produksionet operistike të Zeffirellit kanë përfshirë këngëtarë si: Maria Callas, Placido Domingo, Joan Sutherland, Luciano Pavarotti, Renata Scotto dhe Jose Carreras.

Në një intervistë të vitit 2013, që ka shënuar 90-vjetorin tij të lindjes, ai ishte shprehur se publiku do ta kujtojë më së shumti për filmin e tij “Romeo dhe Xhulieta” të vitit 1968, për miniserialin televiziv “Jesus of Nazareth” të vitit 1977 dhe filmin e tij “Brother Sun, sister Moon”, të vitit 1972.

“Romeo dhe Xhulieta”, një nga herët e shumta që Zeffirelli ka sjellë në skenë Shakespearein, ishte nominuar për “Oscar” për filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë. Në “Hamletin” e tij të vitit 1990 luante dhe Mel Gibson.

Një nga pikat kulmore të karrierës së tij në operë ishte produksioni i Verdit “Aida” në vitin 2006, në teatrin “La Scala” në Milano, e cila mori më shumë se 15 minuta duartrokitje në premierë.

Sidoqoftë, projektet jokonvencionale të Zeffirellit në operë shpeshherë janë pritur më mirë jashtë vendit sesa në vendin të tij, veçanërisht në Shtete të Bashkuara, në New York, ku ai kishte realizuar alamet produksionesh në “Metropolitan Opera”.

Në vitin 1994 Zeffirelli, i cili ka drejtuar disa produksione në “Covent Garden”, në Londër, është dekoruar me titullin “Kalorës” nga mbretëresha Elizabeth II, për “shërbimin e tij të çmueshëm në artet britanike”.

Një homoseksual dhe katolik i devotshëm, ai kishte bërë të ditur në biografinë e tij, në vitin 2006, që ishte joshur nga një prift kur ka qenë adoleshent. Mirëpo, ai kishte thënë që nuk ka pasur abuzim seksual pasi që nuk ka pasur as dhunë.

Zeffirelli e ka urryer termin “gay”, duke thënë se ky term është “i padenjë”.

“Si mund të thoni se Michelangelo dhe Leonardo da Vinci ishin ‘gay’?” kishte pyetur ai gazetën italiane “Corriere della Sera”. “Duke qenë homoseksual bart me vete një peshë të madhe përgjegjësish dhe zgjedhje të vështira sociale, njerëzore dhe kulturore”.

Zaffirelli u lind në Firencë më 12 shkurt të vitit 1923 nga Alaide Garosi Cipriani, rrobaqepëse, dhe Ottorino Corsi, shitës i rrobave. Për shkak se ata ishin të martuar me njerëz të tjerë, ligjet e asaj kohe nuk ia lejonin që ai të merrte ndonjërin nga mbiemrat, mirëpo duhej që të regjistrohej me një tjetër.

Nëna e tij, e cila e pëlqente Mozartin, zgjodhi “Zeffiretti” sipas fjalës italiane “puhi e lehtë”, në një arie të operës italiane “Idomeneo” të kompozitorit austriak. Por një gabim transkriptimi nga një nëpunës i bashkisë e bëri atë përgjithmonë "Zeffirelli".

“Të afërmit dhe miqtë ishin të tmerruar dhe shumë të shqetësuar për të ardhmen e saj”, kishte thënë për një revistë katolike në vitin 2003. “Disa e këshilluan atë që të abortonte, mirëpo ajo kishte refuzuar. Ajo besonte që fëmija që do të lindte ishte fryt i një dashurie të madhe”.

Nëna e tij kishte vdekur nga tuberkulozi, kur ai ishte 6-vjeçar, dhe ai ishte rritur nga një e afërme dhe ndonjëherë nga një grup i grave angleze në Firence të njohur si “Akrepat”, për shkak të kritikave të tyre thumbuese.

Nën ndikimin dhe mbikëqyrjen e tyre, ai mësoi që ta donte gjuhën angleze dhe Shekespearein, një eksperiencë e cila ka formësuar bazën e filmit të tij të vitit 1999, “Tea With Mussolini”, në të cilin luan Joan Plowright, Judi Dench, Maggie Smith dhe Cher.

“Ato më kanë mësuar gjërat e rëndësishme për jetën”, kishte thënë ai në një intervistë të vitit 1999. “Këto gra me ndihmuan që të kuptoj qytetin tim, kulturën time dhe edukimin”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Zaffirelli kishte luftuar si partizan para se të bëhej një përkthyes për regjimentin e këmbësorëve të ushtrisë britanike “Scots Guards”.

Pas luftës ai ka studiuar arkitekturën në Universitetin e Firences dhe ishte përfshirë në teatër dhe film, duke punuar fillimisht si asistent për Viscontin, regjisorin për të cilin ai e dizajnoi skenën për produksionin e parë italian të Tennessee Williams, “A Streetcar Names Desire”, në vitin 1949.

Larg nga skena dhe ekrani, Zeffirelli ishte shpesh në qendër të mediave për mendimet e tij.

Në vitin 1993, ai ishte kritikuar nga Vatikani pasi që kishte thënë se duhet të ketë dënime me vdekje për gratë që bëjnë aborte.

Që nga viti 1994 deri në vitin 2001 ai ka shërbyer si senator në partinë konservatore Forza Italia, të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, duke shpresuar që të përfshijë kulturën në politikë. Më vonë ishte shprehur se ishte penduar për këtë.

Duke biseduar në vitin 2017 për besimin e tij si katolik, ai kishte thënë për gazetën katolike “Avvenire”: “Besimi është një dhuratë, unë jam i sigurt për këtë. Unë e kam këtë dhe duhet ta mbaj fort. E di që e kaluara nuk mund të kthehet, mirëpo nuk jam i pikëlluar pasi që e kam një jetë të tërë përpara, edhe pse ka qenë një fillim i vështirë”.