Kulturë

Arti i tingujve pa origjinë

Ishte hera e parë që e pa Prishtinën. Kryeqyteti i Kosovës atij iu duk sikur gëlonte nga njerëzit e rinj.

 “Nuk kam qenë asnjëherë më parë në Ballkan. Këtu njerëzit janë tepër mikpritës e më nderuan sikur të isha mbret”, evokon kujtimet nga vizita e fundit kompozitori belg Clément Parmentier. 

Sikundër është bërë e zakonshme që festivali i përvitshëm “ReMusica” të ketë pjesë të repertorit të saj “natën belge” me tinguj akusmatikë, profesori nga Konservatori Mbretëror i Monsit solli një gërshetim unik të tingujve akusmatikë e pamjeve videografike. Gjithçka për të ishte e jashtëzakonshme, shkruan sot Koha Ditore.

 “Prishtina është një qytet në shndërrim të plotë me njerëz të rinj kudo, por sikur e ndieja që vragat e luftës ende nuk janë mbyllur tërësisht”, ka thënë Parmentier në një bisedë për “Kohën Ditore”. 

Në natën e pestë të festivalit “ReMusica”, ku performoi pjesët e përzgjedhura akusmatike, publiku ishte fare i paktë në krahasim me koncertet e tjera. Ky festival sivjet, prej 24 majit deri më 2 qeshor, shënoi edicionin e 18-të. 

Dëgjuesit brenda universit 

“Është e qartë se ky lloj i universit tingullor vë gjithnjë në sprovë dëgjuesit”, thotë kompozitori belg në mënyrë jo fort shfajësuese. 

Gjatë performances ku u luajtën gjashtë vepra të ndryshme, ai i ekuilibroi tingujt përmes tetë altoparlantëve të vendosur në formë rrethore brenda sallës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare të Prishtinës. Në këtë zhanër muzike ky improvizim njihet si spacializim...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)