Kulturë

Grupi portugez “Yemadas” mbajti punëtori me fëmijët

Descriptive Text

Vallëzim me ritme afrikane e lëvizje plot energji, u ka përcjellë fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, grupi “Yemadas”.

Ndërveprimi me audiencën është një nga aftësitë identifikuese të grupit portugez, i cili vazhdimisht krijon një dialog përmes vallëzimit, dinamika e të cilit rritet gjatë gjithë performancës.

Grupi i muzikantëve e ka mision udhëtimin nëpër vende të ndryshme të botës dhe unifikimin me komunitetet e ndryshme.

“Është hera e parë që jemi këtu dhe për neve është nder që të prezantojmë Portugalinë dhe bendin tonë që është një bend botëror i muzikës dhe të shprehim artin tonë përmes vallëzimit dhe muzikës. Ne prezantojmë pak a shumë botën me ndikime nga Afrika, Brazili, Portugalia, Spanja dhe Kuba dhe të gjitha vendet ku kemi qenë dhe kemi mësuar nga kultura të ndryshme. Është kënaqësi të jemi në këtë edicion të ‘FemArtit’ dhe ta mbështesim këtë kauzë”, është shprehur Ana Costa.

“Ne kemi ardhur dje në Kosovë dhe çfarë duam të bartim është kjo energji e lumturisë dhe të përbashkëtës, evoloumin njerëzor dhe të jetuarit në harmoni me njëri-tjetrin. Pra, të jetosh në paqe, kjo është çfarë do të sjellim edhe në Kosovë”, tha Tiago Rouxinol.

“Bëhu ritmi im”, titullohet punëtoria që ka bashkuar artistët dhe fëmijët në një ritëm të vetëm përmes instrumenteve dhe duke përdorur trupin si instrument.

Zsofi Joos nga Hungaria e cila është pjesë e grupit, thotë se kjo ka ndikuar për t’u përfshirë në kultura të ndryshme që bartin më shumë gjallëri dhe një pjesë të kësaj e kanë sjellë edhe në Kosovë.

“Nga kultura jonë në Hungari, unë sjell akoma trishtim në këngët folk të cilat janë dhe melankolike. Kur luaj me këtë grup është krejtësisht ndryshe dhe gëzohem që e kam gjetur këtë. Këtë po e bëjmë edhe në Kosovë, kur kam qenë fëmijë kam dëgjuar shumë për Kosovën në radio, pasi këtu po ndodhte lufta dhe e di që ka mbaruar para 20 vjetësh, por mendoj se akoma kanë nevojë për këtë freski dhe për të festuar. Shpresoj që do të festojmë së bashku”, ka thënë Joos.

Ky aktivitet u zhvillua nga “FemArt”, në qendrën “Fidan Lahu” në Fushë Kosovë, në bashkëpunim me “The Ideas Partnership”.

Grupi “Yemadas” do të qëndrojë në Prishtinë edhe disa ditë, në kuadër të edicionit të shtatë të festivalit “FemArt”.