Kulturë

Rreth 5000 dokumente me rëndësi historike në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të vendit, ka vërejtur se në kundërshtim me ligjin “Për Arkivat”, muzeume, shkolla dhe institucione të tjera, mbajnë jashtë çdo kriteri teknik dokumente para vitit 1945.

“Ligji i Arkivave përcakton qartë se Arkivi Qendror Shtetëror ruan, përpunon, administron dhe shërben dokumentet që janë trashëguar nga shteti shqiptar nga periudha parashtetërore gjithashtu dhe dokumentet që janë krijuar nga institucionet qendrore e vendore të administratës shtetërore deri në vitin 1944″, – deklaroi sot drejtori i Arkivave, Ardi Bido.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka grumbulluar gjatë dy muajve të fundit, më shumë se 5000 dokumente me Rëndësi Historike Kombëtare, para vitit 1945.

Ndër to, mund të përmendim dokumente greqisht dhe osmanisht të shek. XIX dhe fillim shek. XX, dokumente të Institutit “Nana Mbretreshë“ Tiranë të vitit 1933 e në vijim dhe dokumente të Institutit Bujqësor në Kavajë të viteve 1939-1943.

Gjithashtu dokumente të shkollës fillore femërore në Berat të vitit 1927, amza të shkollave të ndryshme, letra e Aqif pashë Elbasanit e vitit 1920 dhe diplomë e vitit 1916, etj.

Këto dokumente do t’u ofrohen studiuesve në kohë shumë të shkurtër, pas përpunimit të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u bën apel të gjitha institucioneve shtetërore që mbajnë dokumente të këtij lloji dhe që ende nuk janë inspektuar nga DPA, t’i dorëzojnë ato sa më shpejt, sipas ligjit. Në të kundërt, do të merren masat përkatëse administrative ndaj titullarëve dhe punonjësve të sekretari-arkivave të këtyre institucioneve/ATSH.

{gallery}