Kulturë

“Queendom” me imazhin e gruas prej Renesancës deri më sot

Pikënisja është imazhi i gruas në Renesancë. Apo më saktë portretizimi i saj nga maestrot e pikturës së asaj kohe, kur u kërkonin modeleve të pozojnë nudo para tyre.

Kështu kanë pozuar edhe aktoret e performancës, “Queendom” nën regji të hungarezes Veronika Szabo e dhënë të martën mbrëma në teatrin “Oda”, në natën e dytë të festivalit “FemArt”.

Pesëmbëdhjetë minutat e parë të “lakuriqësisë” së shfaqjes, e cila u dha premierë në Hungari në shkurt të vitit të kaluar, janë veç një paralajmërim i thurjes së perceptimit ndaj gruas, një lloj rrugëtimi historik prej Renesancës deri më sot.

Një dokumentar që kishte parë Szabo – ku shpjegohej se gratë në pikturat e Renesancës pozonin ashtu siç ju thoshin artistët meshkuj e jo ashtu siç ato do të pozonin apo qëndronin në situata normale – ka qenë ajo që ia kishte dhënë idenë për “Queendom”.

Artistet Luca Boros, Julia Jakubowska, Rozalia Kemeny, Fanni Lakos, Lori Baldwin, Viktória Makra, Sarah Günther dhe Veronika Szabo hyjnë në lëkurën e modeleve. Shikuesit janë “piktorët”. Në pjesë të intros ishte publiku, ai i cili vështronte trupat e tyre të cilët krijonin përshtypjen që kanë dalë nga një pikturë e kohës së renesancës. Pas një kohë, janë artistet ato të cilat hedhin vështrime të thella te shikuesi. Faktin që shikimet janë shumë të rëndësishme në këtë shfaqje e potencon edhe regjisorja. Shikimet ajo i sheh si një formë interaktiviteti. Ajo po ashtu thekson se në këtë shfaqje eksploron se cilat janë rolet dhe qëndrimet që i forcojnë gratë brenda vetes, duke u bazuar në prezantimin e tyre pamor dhe prej mënyrës se si shihen nga burrat.

“Kam qenë gjithmonë e interesuar në rolet gjinore, në trupin e njeriut. Gratë kanë trupin e tyre dhe mund të bëjnë shumë gjëra me të, mund edhe ta transformojnë atë, ne e transformuam edhe në mashkull. Pastaj, ato duhet të heqin ato imazhe që janë të ngjitura si etiketë për trupin e tyre nga shoqëria”, ka thënë Szabo.

Pas katër vjetëve qëndrim në Londër, ku edhe ka përfunduar shkollimin, Szabo e ka konsideruar si një mision për të sjellë këtë shfaqje në Hungari pasi që, sipas saj, gratë e këtij vendi i njeh më së miri. Duke e njohur jetën e grave në Hungari, ajo rikthehet për të punuar një shfaqje për rolin e grave, dhe mënyrën sesi reprezantohet trupi i tyre parë edhe nga këndvështrimi i burrave.

Në këtë shfaqje ajo inkuadron edhe muzikën. Këtë të fundit ajo e sheh si ndikues në krijim e imazheve për gratë. Në mesin e këngëve ishte edhe kënga “Tell him” nga Celine Dion dhe Barbra Streisand, kuptimin e së cilës aktoret edhe e ndryshojnë gjatë performancës.

“Përzgjedhjen e këngëve e kam bërë të viteve të 90-ta, sepse unë i kam dëgjuar vetë këto këngë kur kam qenë e re. Edhe pse anglishtja ime nuk ishte e mirë, i kuptoja dhe ato kanë ndikuar në mua. Mendoj që të gjitha këngët e njohura, serialet, reklamat, artikujt, fotografitë, të gjitha ndikojnë në mënyrën sesi e shohim gjininë”, ka thënë ajo.

Shfaqja përfundon me një performancë ‘drag’, ku aktoret vishen si djem dhe tani janë ato që ju hedhin shikime burrave të pranishëm në publik. Regjisorja thekson se këtë e ka bërë në mënyrë që ata të kuptojnë sesa e sikletshme mund të jetë kjo për gratë kur ato e përjetojnë të njëjtën gjë.

“Kjo shfaqje është çliruese për gratë, mund të jetë e mrekullueshme edhe për burrat, mirëpo çdo herë varet se kush është në publik. Disa meshkuj kanë ndarë me mua se ka qenë e vështirë që ta shikojnë sidomos pjesën me ‘drag queens’ dhe ndonjëherë ka meshkuj, të cilët janë duke qarë në shfaqje dhe e di përse”, ka thënë ajo.

Ekipi i shfaqjes është i përzier në aspektin etnik, orientimin seksual dhe pikëpamjeve për gjininë apo trupin e gruas. Në këtë grup ka performuese gjermane, amerikane, polake dhe hungareze.

“Procesi i zgjedhjes së kastës ka qenë mjaft interesant”, ka theksuar aktorja Viktória Makra. Atyre u është kërkuar që fillimisht të njohin njëra-tjetrën pasi që shfaqja kërkon shumë lidhshmëri ne mes të aktoreve dhe vë në pah emocionet e tyre. Makra ka theksuar se çelësi i kësaj shfaqjeje ishte që të tregoheshin të sinqerta.

“E gjitha që ju duhet është që të jeni të guximshëm të tregoni atë që jeni dhe nuk keni arsye përse ta fshihni këtë. Mund të jeni të shëmtuar, të bukur, të papastër, histerik, fëmijëror, edhe një mbretëreshë po të doni, por e gjitha që ka rëndësi është sjellja e njerëzishme. Besoj që është e rëndësishme edhe për burrat që të mos fshehin ndjenjat e tyre, të jenë të sinqertë me veten dhe me të tjerët. Kjo shfaqje është për këtë sinqeritet të pastër”, ka thënë ajo.

Për regjisoren Arlinda Morina, “Queendom” është shfaqje e guximshme. Ka potencuar se ajo solli një koncept interesant për mënyrën e trajtimit të grave, duke përfshirë në të edhe botën mashkullore.

“Një shfaqje e guximshme, e cila solli një koncept interesant për mënyrën e trajtimit të grave, mirëpo aty hyri edhe një botë tjetër ajo e burrave dhe si shihet ajo prej perspektivës së grave. Tregoi një farë egërsie, një vrazhdësi saqë dominonte gjithmonë ana seksuale e tyre. Ishte diçka që më ka inspiruar që edhe unë të kem diçka të tillë në të ardhmen. E kanë trajtuar në mënyrën më të bukur se si mund të ndryshojë një grua”, ka theksuar ajo.

Performanca “Queendom” ka qenë vetëm njëra prej pikave të programit në ditën e dytë të festivalit të edicionit të shtatë të festivalit të artisteve dhe aktivisteve, “FemArt”. Pjesë qendrore janë edhe konferencat. Të martën është mbajtur konferenca “#Pathyer/Vendi i gabuar, koha e gabuar – 20 vjet pas” me panelet “Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë viteve të 90-ta në Kosovë”, “S’ka Marre në Drejtësi: Adresimi i stigmës ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve të 90-ta në Kosovë – Perspektiva e institucioneve shtetërore” dhe "Luftimi i stigmës përmes Mediave dhe Artit – Adresimi dhe njohja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” . Janë mbajtur edhe punëtoritë “Gratë në Wikipedia + Edit-A-Thon” dhe nata e poezisë e muzikës, “Poezi për Fuqi”. “Me liri kundër marres” është motoja e “FemArtit”.