Edi Shukriu shpallet fituese e çmimit letrar “Beqir Musliu”

Edi Shukriu shpallet fituese e çmimit letrar “Beqir Musliu”

11 June 2019 23:46

Shkrimtarja dhe arkeologia Edi Shukriu është shpallur sot fituese e çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan Komuna e Gjilanit për arritje të veçanta në letërsi.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje të Ibrahim Kadriut, Sadete Tërnava Osmanit dhe Hasan Bunjakut.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar jurinë profesionale për punën dhe vlerësimin, ndërkaq e ka uruar shkrimtaren dhe arkeologen Edi Shukriu, për të cilën tha se ka dhënë kontribut të madh në lëmin e letërsisë dhe të arkeologjisë.

“Nominimi i sivjetmë i Edi Shukriut i bën nder çmimit ‘Beqir Musliu’, pasi veprimtaria e saj, udhëtimi, letrat dhe librat që ajo sot i ka, natyrisht që edhe neve na bëjnë nder. Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim, ai është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, theksoi kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, shkruan “epokaere”.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu tha se ata kishin në shqyrtim një numër emrash prej shkrimtarëve, biografitë e të cilëve arrinin në nivelin e lakmueshëm për këtë çmim, por që juria vendosi për të nominuaren, Edi Shukriu.

“Kur merret parasysh krijimtaria e Edi Shukriut në fushën e letërsisë dhe arkeologjisë, mund të them se ishte arkeologe dhe shkrimtare e parë shqiptare në Kosovë, e cila e botoi përmbledhjen e parë poetike në vitin 1972. Ishte dhe mbeti e dalluar edhe si veprimtare në realitetin kosovar. Në fushën e letërsisë, Edi Shukriu ka arritur suksese si poete, dramaturge dhe romansiere. Vendimi dhe bindja jonë është se veprat e saj shquhen me origjinalitet të shprehjes poetike, të cilat bindin se kjo poete i përkushtohet krijimtarisë vetëm kur e ndien atë si shpërthim shpirtëror”, tha shkrimtari i famshëm kosovar me prejardhje nga Gjilani, Ibrahim Kadriu.

Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të trembëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.

Në fund, kryetari i këtij klubi, shkrimtari Sabit Rrustemi, e ka falënderuar kryetarin Haziri që po vazhdon ta nderojë jetën dhe veprën e kolosit të letrave shqipe, Beqir Musliu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme