Kulturë

“Java e filmit” me kapitullin e kinematografisë kosovare të pasluftës

Descriptive Text

Prishtinë, 11 qershor – Në javën e tretë të qershorit, përmes katërmbëdhjetë filmave, në “Kino Armata” shikuesit do të kenë mundësi ta njohin një kapitull të kinematografisë kosovare të pasluftës, por edhe të zhvillimeve që trajtohen në këto vepra.

“Java...” do të mbahet prej 17 deri më 23 qershor. Prodhimi i filmave që janë në këtë program, përveç filmit “A Normal Life” i vitit 2003, janë mbështetur nga QKK-ja. Dokumentari “A Normal...” nën regji të Hugo Berkeley, Elizabeth Chai Vasarhelyi sjell jetën në Kosovë fill pas përfundimit të luftës. Rrëfimi shpaloset nëpërmjet shtatë personazheve, në mesin e të cilëve gazetarët, Nebi Qena e Garentina Kraja, Veton Surroi, asokohe botues i gazetës “Koha Ditore”, solisti i grupit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu e regjisorja Kaltrina Krasniqi. Sivjet Elizabeth Chai Vasarhelyi me “Free Solo” bashkë me Jimmy Chin mori çmimin “Oscar” për dokumentarin më të mirë, shkruan sot Koha Ditore.

“Java e filmit” do të hapet të hënën që vjen me filmin “Ajo” të More Raçës për të vazhduar me filmin “Martesa” nga Blerta Zeqiri. Dita e dytë sjell filmin "Një muaj" nga Zgjim Terziqi dhe “Daullet e Rezistencës” nga Methieu Jouffre. Të mërkurën vijnë regjisorja Lendita Zeqiri me filmin “Gardhi” dhe Ilir Hasanaj me filmin e tij ”Me dasht‘ me dasht‘ me dasht’". Të enjten vjen “Tisa” nga Valter Lucaj dhe “Përtej Rrugës” nga Yll Çitaku. E premtja u takon dokumentarit “Ferdonija” nga Gazmend Bajri dhe filmit “Histori maje kulmi” nga Gazmend Nela. Të shtunën do të shfaqet filmi “Shok” nga Jamie Donoghoue, që më 2016 ia solli Kosovës nominimin historik për çmimin prestigjioz “Oscar”. Po këtë ditë shfaqet edhe “A Normal Life”, për t’u përmbyllur të dielën më filmin “Kanarinët e Dinë” nga Kaltrina Krasniqi dhe “Babai” nën regji të Visar Morinës.

QKK-ja ka njoftuar se pas shfaqjes së filmave të pranishmit do të kenë mundësi të bashkëbisedojmë me personat që kanë qenë pjesë e ekipeve realizuese të filmave.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")