Dymbëdhjetë projekte për gërmime arkeologjike mbesin të bllokuara

Dymbëdhjetë projekte për gërmime arkeologjike mbesin të bllokuara

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 11 June 2019 08:14

Prishtinë, 11 qershor – Janë 12 projekte kapitale të Instituti Arkeologjik i Kosovës që vazhdojnë të mbesin si plane në sirtar.

Pos listës së këtyre projekteve, ky institucion ka për detyrë që, varësisht nga nevoja, të bëjë edhe intervenime emergjente. Por njëjtë sikurse institucionet e tjera të kulturës e të trashëgimisë kulturore, është duke kërkuar zgjidhje për mënyrën e shfrytëzimit të buxhetit.

Deri në qershor të vitit të kaluar, institucionet e kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore në vartësi të Ministrisë së Kulturës kanë pasur llogaritë e veta financiare, nëpërmjet të cilave kanë bërë pagesat për bashkëpunëtorë. Llogaritë bankare në banka komerciale ishin cilësuar si të parregullta nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ishin bllokuar atë muaj.

Shkaku i bllokimit të llogarive institucionale për dallim nga ato të kulturës, institucionet e trashëgimisë kulturore, sikurse është Instituti Arkeologjik i Kosovës, qysh prej gushtit e kanë pasur të pamundur funksionimin. Në fund të gushtit IAK-ja kishte ndërprerë punën në lokalitete të rëndësishme arkeologjike, siç janë Ulpiana e Dresniku. Ndërprerja ishte bërë në pamundësi për të paguar me kohë punonjësit e angazhuar. Në shtator ishte vendosur që të gjitha pagesat të bëheshin direkt nga Thesari, dhe procedura kërkon kohë më të gjatë.

Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Harilaqit, Lokaliteti Ulpiana, Kalaja e Dardanës, Lokaliteti Dresnik, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Keqekollës, Kalaja e Marecit, Kalaja e Vuçakut, Kalaja e Korishit, Lokaliteti Arkeologjik në Barilevë e ai në Gllamnik janë projektet për të cilat IAK-ja pret të nisë punën.

Drejtori i Institutit arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se në vend të terrenit, arkeologët janë duke bërë punë studimore kabinetike.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme