Kulturë

Velo kontribuon me vepra për fondacionin me emrin e vëllezërve Ivanaj

I bashkon fati i dënimit gjatë diktaturës. Mirash Ivanaj ishte një prej intelektualëve shqiptarë që dha kontribut të madh për arsimin. E artisti Maks Velo midis krijimtarisë së tij ka punuar edhe vepra për Ivanain e të vëllanë. Velo ka dhuruar 7 vepra të realizuara në kohë ndryshme që, sipas tij, u frymëzuan nga personaliteti i Mirash e Martin Ivanaj. Veprat i janë dhuruar Fondacionit të themeluar për nder të vëllezërve.

Drita Ivanaj, e bija e Martin Ivanaj, themeluesja e fondacionit “M&M Ivanaj” e ka vlerësuar këtë dhuratë dhe ka ndarë dhe shumë përshtypje për punën dhe kontributin e Velos, duke apeluar që shoqëria shqiptare ta kultivojë këtë ndjenjë. Veprat e artit ndryshojnë në madhësi dhe në llojin e artit, nga skica të vogla me laps mbi letër, tek dy të mëdha të skicuar me qymyr druri dhe bojë vaji.

Të gjitha punët e piktorit të njohur janë realizuar falë disa fotografive që janë shfaqur në vitet e fundit në artikujt e gazetave që ilustrojnë jetën dhe punën e Mirash Ivanaj për vendin e tij. Velo ka përgatitur një cikël, kushtuar personalitetit të Mirash Ivanaj që shihet si një personazh i jashtëzakonshëm, që e ka bërë për vete arkitektin dhe piktorin e njohur.

Mirash Ivanaj është një figurë shumëdimensionale dhe që me kujdesin e tij iu dedikua arsimimit shqiptar, dhe reforma e tij synonte të prekte thelbin e strukturës së paditurisë shqiptare. Ishte ministër i Arsimit në kohën e Mbretit Zogu I. Por jeta dhe fati i Mirash Ivanajt përfunduan në mënyrë tragjike, i trajtuar shumë keq nga regjimi komunist. Mirash Ivanaj u lind më 12 mars 1891 në Podgoricë. Pas veprimtarisë si mësues, jurist e ministër u arrestua nga regjimi komunist dhe më 1947 u dënua me 7 vjet në burg. Vdiq më 22 shtator 1953 në Spitalin e Tiranës, 12 ditë para se të lirohej nga burgu.