Kulturë

Kadriu: Ikja u ka hyrë në gjak shqiptarëve

Descriptive Text

Ibrahim Kadriu në librin e tij të fundit nëpërmjet prozës aktualizon historinë e dyndjes së shqiptarëve në Turqi. Boshti i romanit “Varri i shitur në Damask” është një familje nga Vrella e Istogut. Pas ikjes në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, Sokoli nuk e gjen atë që e mendon në Turqinë e Ataturkut. Bile i ndërrohet identiteti e i kërkohet që ta largojë edhe plisin. Familja përfundon në Siri. Me bazë reale e mjeshtri proze, Kadriu në veprën e botuar nga Botimet KOHA sjell rrëfimin që në historinë shqiptare si fenomen është përsëritur vazhdimisht. Madje edhe në ditët e sotme, shkruan sot Koha Ditore.

“Ikja u ka hyrë në gjak shqiptarëve. Ikja e simbolizon frikën”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën. Sa u përket ikjeve në ditët e sotme, Kadriu ka thënë se tash barra u bie politikanëve që po udhëheqin me Kosovën. Në veprën e tij, “Të vdekurit e gjallë”, po ashtu e botuar nga Botimet KOHA para dy vjetësh, Kadriu flet për heronjtë e rremë. Bile, gjithçka nis me një citat të Viktor Hygosë, ku shkruhet: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”.

Kadriu ka thënë se fatkeqësisht në Kosovë po përfitojnë horrat. Sipas tij, letërsia do të kishte ndikim sikur të kishte më shumë lexues. Autori i dhjetëra veprave letrare, që më 2016 kishte fituar shpërblimin për romanin më të mirë shqiptar “Rexha Surroi” me “Misioni rus”, ka thënë se shqiptarët nuk janë trima siç paraqiten në këngë. Sipas tij, historia reale e dëshmon të kundërtën. Kadriu që ka në dorëshkrim një vepër tjetër, që flet për dy personazhe që kanë bërë nga 20 vjet burg sherri i Enver Hoxhës, ka thënë se në Kosovë ka humbur shpresa. E në rrethana të tilla, sipas tij, me klasën politike aktuale nuk ka përmirësim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)