Kulturë

“Zambaku i Prizrenit” tregon këngët e përzgjedhura për edicionin e 30-të

Sot u mbajt konferenca e parë zyrtare për shtyp e Festivalit Zambaku i Prizrenit 2019.

Këshilli organizativ i festivalit njoftoi të pranishmit për përbërjen e këshillit të emëruar nga Kryetari i Komunës, të cilët përfaqësojnë institucionet/organizatat kulturore të qytetit të Prizrenit.

Drejtori artistik Besim Berisha shpalosi programin dhe përgatitjet e deritanishme të pjesës artistike të festivalit, transmeton Koha.net.

Ai prezentoi gjashtëmbëdhjetë këngët që do të garojnë për çmimet kryesore gjatë natës finale të festivalit, të cilat do të këndohen live nga interpretues të njohur nga disa treva shqiptare.

Gjithashtu potencoi që gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve të organizimit si dhe potencoi që këngëtarët dhe orkestri me shumë entuziazëm presin të fillojnë provat për mbrëmjen e Zambakut.

Në natën finale të festivalit që do të mbahet më 29 qershor 2019 në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren, ku do të ndahen gjithsej katër çmime.

Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituse do të bëjë përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit: vendi i parë (trofeu Mikrofoni i Artë), vendi i dytë dhe vendi i tretë.

Publiku prezent në sallë do të përzgjedhin këngën më të mirë të publikut (trofeu Zambaku i Argjendtë).

Trofeu Mikrofoni i Artë do t’i takojë këngëtares/it të këngës fituese të festivalit nga juria profesionale, trofeu Zambaku i Argjendtë do t’i takojë kompozitorit të këngës më të mirë të publikut, ndërsa shpërblimet tjera do të ndahen në mënyrë të barabartë mes kompozitorëve dhe interpretuesve përkatës të këngëve.

Këngët e përzgjedhura për të qenë pjesë e garës zyrtare të festivalit janë:

Image

Ky edicion i festivalit realizohet nga Këshilli Organizativ i festivalit nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, dhe synon ta ngrisë kualitetin artistik të munguar kohëve të fundit.

Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. Për më shumë info, mund të shihni faqen zyrtare të festivalit në Facebook (Zambaku i Prizrenit).

Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat.

Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij.

Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake.

Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë.

Image