Kulturë

Fotografi shqiptaro-kanadez Sirio Berati mahnit botën

Arti vizual po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në ditët e sotme, duke u konsideruar si një lëvizje e re artistike në shekullin XXI.

Shqiptaro-kanadezi Sirio Berati po krijon imazhe surreale filozofike, me të cilat ai bart elemente imagjinare e irracionale si mënyrë për të shprehur kuptime, emocione dhe rrëfime.

Gjithçka filloi pesë vjet më parë, kur ai nisi hapat e parë me “Photoshop”. 19-vjeçari me prejardhje shqiptare, që tani jeton në Montreal të Kanadasë, është artisti i ri digjital që po krijon artin e tij në botën magjike të fotografive, shkruan “Explosion”, transmeton “Koha Ditore”.

Brenda një kohe të shkurtër punimet e tij janë shfaqur në “Vogue”, “McGill Tribune” dhe “IMDb”, për të cilat thotë se janë rezultat i një pune të vazhdueshme, përkushtimi dhe pasioni.

Punimet e fundit vizuale të artistit nga Berati kanë ngjallur kureshtje në mediat sociale, sidomos për faktin që manipulimet e tij janë të frymëzuara nga seriali “Game of Thrones”. Dhe çka i bën ato më interesante është fakti, siç pretendon Sirio, që ai nuk ka shikuar as edhe një episod të vetëm të serisë së mirënjohur.

Ai përpiqet t’i japë imazhet e tij sa më të thjeshta dhe të natyrshme, ku vërehet vizioni i tij pas fotografisë konceptuale që i bën ato të ndërlidhen me ngjyra të ftohta dhe me rrëfime të qeta.

Së fundmi, Sirio ka shfaqur një varg imazhesh me tema postapokaliptike në llogarinë e tij në “Instagram”. Ato janë bërë në Montreal të Kanadasë, duke dhënë një pamje surreale të qytetit dhe parkut të kapluar nga flakët.

Me artin e tij digjital, sidomos me manipulimet apokaliptike, shqiptaro-kanadezi përpiqet të japë mesazhin mbi rreziqet nga ngrohja globale.

“Na duhet një tonik i egërsisë. Në të njëjtën kohë ne jemi të prirë për të gjurmuar dhe mësuar të gjitha gjërat, duke kërkuar që gjithçka të jetë misterioze dhe e pakapshme, toka dhe deti të jenë pambarimisht të egër, të pahulumtuar dhe të pakuptueshëm. Ne kurrë nuk mund të ngopemi me natyrën. Prandaj të mos e shkatërrojmë atë, për shkak se toka është e vetmja shtëpi e jona”, ka thënë ai.

Punimet e tij janë herë figurative, herë abstrakte, por mënyra sesi ai u qaset temave historike, çështjeve globale dhe ideve filozofike, forcon mesazhin e tij. Shumë prej krijimeve të tij përfshijnë magjinë, fluturat në zjarr apo skena të tjera postapokaliptike.

Arti digjital i Beratit ka bërë për vete zemrat e shumë indianëve, duke u bërë artisti më i pëlqyer digjital në Indi. Përderisa ka ndjekës nga gjithë bota, punimet e Sirios janë bërë virale në Delhi dhe Mumbai.

Punimet e tij ngërthejnë dimensione të ndryshme dhe dallojnë në kontekst dhe tema, por në to shfaqet gjithnjë edhe një narrativë shpirtërore.

Fotografitë e tij janë ekspozuar në galeri të shumta në Kanada, ndërkohë që ai ka fituar çmimin “Best Digital Artwork” në një garë në Londër.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)