I çuditshmi nga Bavaria që ra në dashuri me poezinë shqipe

I çuditshmi nga Bavaria që ra në dashuri me poezinë shqipe

25 May 2019 14:00

“Një burrë i çuditshëm nga Bavaria, i dashuruar qysh në rini pas gjuhëve dhe poezisë së Ballkanit me një ndjeshmëri të dukshme…”, e përshkruante shkrimtari austriak Karl-Markus Gaus profilin e ballkanologut gjerman, Hans-Joachim Lanksch, i cili vdiq të hënën e kësaj jave, shkruan sot Koha Ditore.

Respekti për shqiptarët e Kosovës, vazhdonte tutje botuesi austriak, e urdhëronte Lankschin që përkthimet të mos i kufizonte vetëm në fjalë politike. I lindur 76 vjet më parë në qytetin Braunschweig të Saksonisë së Poshtme, Hans-Joachim Lanksch nuk ishte nga ata njerëz për të cilët gazetat a revistat letrare rezervojnë biografi të gjata të ngjeshura me data, aktivitete e angazhime. Jetëshkrimi i tij është ai mbi një jetë modeste e të përhumbur pas pasionit të tij jetësor, siç ishte përkthimi i poezisë, të cilin me shaka e përshkruante si zbulim i hireve të Sophia Lorenit. Dhe a ka burrë që i bën ballë një tundimi të tillë, pyeste me humorin e tij simpatik.

Pasi u vendos në Münich, Lanksch u dha i tëri pas studimit të ballkanistikës, gjuhëve kryesore të gadishullit, si dhe folklorit, që ka shijen e diçkaje ekzotike për studiuesit gjermanë. Pasi mbaroi studimet në gjimnazin klasik të gjuhëve, ai nisi të interesohej për të gjitha gjuhët që e përbëjnë lidhjen gjuhësore ballkanike, ose siç quhet konvencionalisht në rrethet shkencore “Balkan Sprachbund”.
Bota shqiptare do të hapej për të në momentin kur ra në kontakt me Martin Camajn, që asokohe ligjëronte në Universitetin e Münichut “Ludwig Maximilian”. Këmbimet e shpeshta me profesorin shkodran, leximi i prozës popullore shqipe të mbledhur nga Anton Çetta e pastaj thellimi në gazetën “Zëri i Popullit”, në fillim sikur e dekurajuan Lankschin në nxënien e shqipes, që atij i dukej “gjuhë e pamësueshme”./Salih Mehmeti

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme