Kulturë

Vlerësohet lart performanca e Filarmonisë së Kosovës në Paris

Për më shumë se një orë, në objektin ikonik në “Saint-Louis-des-Invalides” të Parisit, publiku ka dëgjuar veprën “Njeriu me armë: Meshë për paqe” të Karl Jenkinsit.

Përgatitja për luftë, zhvillimi i saj e britmat e viktimave, kësaj radhe janë shndërruar në përjetim të vështirë, por duke shërbyer si thirrje për paqe.

Këtë ndjesi ka synuar ta zgjojë kori dhe orkestra e Kosovës me koncertin në shënim e 20-vjetorit e çlirimit, raporton “Express” i KTV-së.

Baki Jasahri i cili dirigjoi lojën, shpjegoi se vepra ka qenë shumë komplekse, me kontraste dhe përjetim të fortë emocional.

Sopranoja Adelina Paloja përfaqësoi një nga imazhet e viktimave të luftës në Kosovës.

Ambasadori Qëndrim Gashi e ka cilësuar këtë koncert si një moment të veçantë për Kosovën në Paris.

Pjesëmarrësit e kësaj mbrëmje të rëndësishme muzikore në Paris, e kanë vlerësuar koncertin si një prezantim të shkëlqyer e arritje të Filarmonisë së Kosovës.

“Ky është një investim për të ardhmen. Mund t’ju themi shumë faleminderit për këtë organizim shumë pozitiv”, është shprehur Gashi.

Duke e përcjellë dramaticitetin e veprës, publiku përmes melodive është zhytur në përjetimet e betejave të viktimave. Në mesin e katër qind pjesëmarrësve ishte edhe pianistja dhe dirigjentja shqiptare në Francë, Arlinda Bajollari.

Filarmonia e Kosovës, të mërkurën me 110 artistë shënoi një prezantim të suksesshëm në Paris.