U promovua libri “Marijana - histori shqiptare e një austriakeje”, monument humanizmit

U promovua libri “Marijana - histori shqiptare e një austriakeje”, monument humanizmit

24 May 2019 10:54

Në Prishtinë është promovuar libri "Marijana - histori shqiptare e një austriakeje" i autores Lindita Sina, një kronikë impresive për humanisten austriake, zonjën Marijana Graf, të cilën ata që shijuan ndihmën e saj në Shqipëri e në Kosovë e kanë quajtur dhe e quajnë Nëna Terezë nga Austria, shkruan Koha.net.

Në prani miqsh e dashamirësh të librit, ndër ta edhe ambasadori aktual i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, dhe paraardhësi i tij Islam Lauka, në ambientet e hotelit "Magra" në Bërnicë të Prishtinës, folën veterani i gazetarisë në Kosovë, Nehat Islami, Fëllanza Çitaku, Skender Thaçi, vetë protagonistja e librit - Marijana Graf, e cila nuk mund i frenoi emocionet, ndërsa pjesë të librit deklamoi aktori Çun Lajqi.

Islami rikujtoi qindra objekte shkollore, ambulancash, kopshtesh shkollore, objektesh të kulturës që u ngritën në Shqipëri e në Kosovë nga viti 1992 e deri në ditët tona nga fondacioni i kësaj humanisteje, një Mis Edit Durham të kohës sonë në trojet shqiptare, dhe bashkëshortit të saj Vili. Ambasadori Minxhozi përmendi takimin e tij me të në vitet e rënda të Shqipërisë në vitet e para të tranzicionit, ndërsa Izet Ibrahimi nga Drenasi njohjen me të në ditët e para pas përfundimit të luftës në Kosovë. Rrëfimet ishin emocionale dhe ato flisnin për dimensionet e humanizmit njerëzor në kohë të vështira, të cilat mbahen në mend, për Shqipërinë pas mbylljes së kapitullit të komunizmit të egër, dhe për kalvarin e shqiptarëve të Kosovës të ndjekur nga shtëpitë e trojet e veta nga dhuna gjenocidale serbe në fundshekullin që e lamë.

Për vlerën e librit dhe rrëmbimin e fakteve historike nga harresa e kohës foli edhe Nusret Pllana.

Vetë Skender Thaçi, për të cilin u tha se misioni i Marijana Grafit nuk do të ishte ky që e përjetëson libri, përkujtoi raste e momente që rrëfejnë për madhështinë e saj në Shqipëri e në Kosovë.

Libri përmban pasazhe e përshkrime që janë monument për humanizmin, të shkruara me një stil tërheqës. Po ashtu ato ilustrohen me fotografi. Ai do të pasurojë bibliotekën e secilit që e ka pasion leximin, por edhe që nuk dëshiron të harrojë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar. Është ky libri "Marijana - histori shqiptare e një austriakeje".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme