Kulturë

Ministria shtyn sërish konkursin për Teatrin e Operës dhe Baletit

Prishtinë, 23 maj – Miratimi i Ligjit për buxhetin e këtij viti shihej si prag për hapjen e konkursit ndërkombëtar për projektin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Të paktën kështu definoheshin gjërat në janar të këtij viti nga vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.

Por Ligji për buxhetin është votuar në ditën e dytë të shkurtit, e konkursi nuk është hapur ende. Madje nuk ka as afat se kur do të hapet.

Udhëheqësit e institucioneve që do ta shfrytëzojnë këtë ndërtesë kanë humbur shpresat se projekti do të konkretizohet ndonjëherë. Madje thonë se pa qenë prioritet i Qeverisë, teatri nuk mund të bëhet realitet.

E ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, del që nuk i ka llogaritur gjërat mirë në fillim të vitit.

“Si procedurë e kemi gati, por gjithçka është duke u varur nga Projektligji për buxhetin. Pas miratimit të këtij projektligji do të hapet konkursi ndërkombëtar për projekt ideor dhe final”, kishte thënë Gashi më 21 janar të këtij viti.

Për këtë vit MKRS-ja, sipas Projektligjit për buxhet, ka paraparë 100 mijë euro, plus 500 mijë të tjera që llogariten si të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Sipas këtij ligji, Qeveria planifikon që deri në vitin 2021 t’i ndajë për këtë projekt 1.1 milionë euro.

“Meqenëse është projekt i madh mund ta shtojmë buxhetin në rishikimin e buxhetit për këtë vit”, kishte thënë ministri Gashi.

Por tash kanë ndërruar hesapet. Nuk është përgjigjur për zvarritjen. Thjesht ka thënë se do të hapet konkursi. “Jemi në përgatitje për hapje”, ka thënë ministri Gashi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")