Më 27 maj në TKK  “Sfinga e gjallë” vjen premierë, ndryshe nga ç'është parë dikur Foto: Koha

Më 27 maj në TKK “Sfinga e gjallë” vjen premierë, ndryshe nga ç'është parë dikur

21 May 2019 15:35

Teatri Kombëtar i Kosovës përmes një njoftimi për media bën të ditur se më 27 maj (e hënë) do të shfaqet premierë "Sfinga e gjallë" e autorit Rexhep Qosja, me regji të Blerta Nezirajt.

Drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur të Kosovës, Rexhep Qosja, vjen ndryshe nga ç'e kemi parë dikur dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës.

Shfaqja do të jepet në orën 21.

Në këtë shfaqje luajnë: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.

***

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshirë në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politikë, kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë, të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtorë të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë, madje edhe vetë vrasësit, ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarët dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer ; kompozitor: Gabriele Marangoni; koreograf: Gjergj Prevazi; ass regjisor: Imer Mushkolaj

Skulptor: Burim Berisha; ass. skenograf: Gent Jetullahu; inspicient: Bajram Mehmetaj ; dritat: Mursel Bekteshi; toni: Arben Aliu

Komentet

Shto koment

Të ngjashme