Kulturë

Sot, gjysmë shekulli nga vdekja e Mitrush Kutelit

Sot, më 4 maj 2017 mbushen 50 vite nga vdekja e Mitrush Kutelit – Dhimitër Paskos

Mitrush Kuteli (pseudonimi i Dhimitër Paskos) ishte ekonomist, financier, shkrimtar, përkthyes, gazetar, mbledhës foklori e mbledhës i shpirtit shqiptar shpërndarë në shekuj e vise. U nda nga jeta në moshën 60 vjeçare më 4 maj 1967.

Dokumentet e AQSh për apo të lidhura me Mitrush Kutelin numërohen me gishta, ndaj nuk ishte e thjeshtë të gjenim diçka për të kujtuar këtë të vdekur të gjallë. Mbetëm tek këto materiale që publikojmë këtu. Janë dy nga 8 fletë dorëshkrimi, shkruar në letër me stilograf, të cilat përmbajnë një tregim të Kutelit, të përkthyer në gjuhën frënge. Titulli i tregimit në përkthim është “Les Souvenirs des Souvenirs”, në fund mban shënimin: “Mitrush Kuteli, tiré du journal Shqipëria e Ré, X, 376, Constance, 1929”, por askund emrin e përkthyesit. Dorëshkrimi ndodhet, bashkë me disa kopje të daktilografuara të të njëjtit tekst, i vendosur në Fondin “Musine Kokalari”, Dosja 66 (Fondi nr. 437). Titulli i dosjes nuk na jep ndonjë të dhënë lidhur me përkthyesin/përkthyesen. Meqenëse arkivistët kanë dy të meta të mëdha, nuk janë të gjithëditur dhe nuk flasin pa ditur, publikojmë këto fragmente të dorëshkrimit për të kujtuar të paharruarin Dhimitër Pasko, duke e lënë në dorë të informacionit tsë publikut identifikimin e autorit apo autores së këtij përkthimi. Nëse dikush e njeh përkthyesin, nuk premtojmë ndonjë çmim, vetëm e ftojmë të vijë në AQSh dhe të shohë dorëshkrimin në origjinal.