Kalaja e Krujës nën ritmet e muzikës rrok dhe alternative

Kalaja e Krujës nën ritmet e muzikës rrok dhe alternative

20 May 2019 13:09

Krujë, 20 maj - Kalaja e Krujës është destinacion kulturor, por së fundi po kthehet edhe në hapësirë arti për të rinjtë.

Kjo falë grupeve më të mira të rrok-ut në Shqipëri, të cilat për tre orë i dhanë fundjavën që lamë pas të pranishmëve, ritmet e muzikës rock dhe alternative.

Në edicionin e tij të dytë pas zhvillimit me sukses vitin e kaluar, ku grupe muzikore dhe DJ të ndryshëm realizuan për herë të parë një event muzikor të përmasave të mëdha, “Rock the Castle” synon të kthehet në një traditë të përvitshme, me objektivin për ta bërë sa më të larmishme ofertën turistike të Krujës.

Këtë edicion ishin të ftuar shumë grupe muzikore dhe agjendë të pasur artistike me grupe dhe artistë si Peter Pan Quartet, Dobs, The Djems, Paradox, Nandhe, Bojken Lako, Semi Jaupaj, Henri Mahmutaj, Jona Pepkolaj, Rea Nuhu.

Ndërkohë 18 maji përkoi edhe me Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe këtë vit Shqipëria ju bashkua 158 vendeve të tjera për të rritur ndërgjegjësimin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm në shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe popujve.

Me këtë rast muzetë e Krujës iu bashkuan 37.000 muzeve anembanë botës në këtë nismë duke mbajtur muzetë hapur përtej orarit të zakonshëm dhe hyrja ishte falas.

“Kruja në shifra është shumë mirë, por sfidë është rritja e kohës së qëndrimit të tyre në Krujë dhe një mënyrë fantastike janë eventet kulturore”, tha për ATSH-në Drini Masha, përgjegjës i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë.

Ndër të tjera ai shtoi se projekte të tilla që vijnë nga bizneset vendase, si Kruja Hospitality tregon se të gjithë aktorët turistik janë gati për një hap cilësor turistik.

Ky festival u mbështet nga Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtarë Durrës, Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, TID Kruja dhe bashkia Krujë /ATSH.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme