Kulturë

Pavijoni i Shqipërisë në Venecie midis dhjetëshes së “Elle Decor”

Vepra “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, me të cilën Driant Zeneli përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve ndërkombëtare. Revista italiane e dizajnit dhe e arkitekturës “Elle Decor” e ka renditur pavijonin shqiptar ndër 10 pavijonet për mos t’u humbur.

Nën temën “You Live In Interesting Times”, titulli i zgjedhur nga Ralph Rugoff – pavijonet kombëtare në Bienalen e Venecias të 2019-s marrin përsipër çështje botërore si ndryshimet klimatike dhe padrejtësitë sociale, eksplorojnë kushtet njerëzore dhe riinterpretojnë zakonet popullore me një lexim bashkëkohor, që ofron nuanca të pasura, shkruan sot Koha Ditore.

“Kemi përzgjedhur 10 pavijonet e Bienales së 2019-s, që shpalosen në Arsenale dhe Giardini, duke shfaqur atmosferë dhe gjuhë kreative”, shkruan ndër të tjera “Elle Decor”. “Pavijoni shqiptar zbulon një ekspozitë të titulluar ‘Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm’ nga Driant Zeneli me kurimin e Alicia Knock. Në qendër të kësaj vepre të artistit të ri është ripërcaktimi i koncepteve të tilla si dështimi, utopia dhe ëndrrat, të zbatuara përmes filmave narrativë dhe shfaqjeve që hulumtojnë obsesionin e qenieve njerëzore për të kapërcyer kufijtë e tyre”.

Ndër dhjetë pavijonet përveç Shqipërisë, “Elle Decor” rendit edhe Mongolinë, Danimarkën, Brazilin, Gjermaninë, Belgjikën, Izraelin, Austrinë, Lituaninë dhe Vendet Nordike.
Kuratorja Alicia Knock ka thënë se “vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet”.

“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit, për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, është shprehur artisti Driant Zeneli në hapje të Bienales.

“You Live In Interesting Times” është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”. Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, të vendosura në Giardini e Arsenale. Ndërsa 21 ngjarje kolaterale zhvillohen nëpër Venecia.

Në anën tjetër, Kosova për të katërtin vit prezantohet në ngjarjen e madhe të artit botëror. Vepra “Family Album” e Alban Mujës që në hapje ka marrë vëmendjen botërore.

Javën e kaluar këtë projekt artistik ueb-faqja “Artsy” e ka vlerësuar në mesin e 10 më të mirëve të Bienales së sivjetme të Venecias. Në përshkrimin e Pavijonit të Kosovës, kryeredaktorja e “Artsyt”, Casey Lesser, ka shkruar se gjatë luftës së Kosovës më 1998-99, fotografi të fëmijëve refugjatë u bënë fytyra të konfliktit, teksa ato u botuan nëpër gazeta në mbarë botën. Njëzet vjet më pas artisti Alban Muja - i cili edhe vetë ishte fëmijë refugjat gjatë luftës - i gjeti fëmijët që gjendeshin në disa prej këtyre fotografive të famshme dhe i kapi tregimet e tyre. Në Pavijonin e Kosovës ai shfaq tri video të gjalla, emocionale, që në plan të parë kanë këto subjekte, tani të rritur. Ata kujtojnë rrethanat e fotografive të tyre dhe reflektojnë në ndikimin që imazhet patën në media - dhe në kuptimin e rrjedhës së luftës.