Zeja e jorganxhiut e shuar nga teknologjia

Zeja e jorganxhiut e shuar nga teknologjia

Artan Krasniqi Artan Krasniqi 19 May 2019 12:31

Në zemër të asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër”, në rrugën që tash ka emrin “Ibrahim Lutfiu”, dyqani i tretë është i familjes Mejtani. 

Kësisoj që prej vitit 1977. Fotografi të moçme të albumit familjar, në bardhezi, shpërfaqin shkronjat “Jorganxhi”. 

Shefqet Mejtani është trashëgimtar i lokalit dhe gjenerata e tretë e kësaj familjeje, që është marrë me prodhimin dhe shitjen e jorganëve e të dyshekëve. Mejtani, që ka kohë që ka lënë zejen e prodhimit e merret vetëm me shitjen e jorganëve, tregon historinë dhe lidhjen e tre brezave me punën, shkruan sot Koha Ditore.

Ka vite që prodhimi industrial e hoqi nga përdorimi prodhimin me punëdore të jorganëve. Por Mejtani thotë se puna e dorës në prodhimin e një mbuloje është art më vete. 

Punë që ka shpirt në të. Punë e personalizuar me merak. Por fatkeqësisht kjo zeje është në zhdukje. Mejtani tregon se në gjithë Kosovën kanë mbetur pak njerëz që mund të kenë kërkesa për të personalizuar me punë dore punën për jorgan e mbështjellës të tij. 

Gjenerata e tretë 

Shefqet Mejtani tregon se zanatin e jorganxhiut e nisi gjyshi i tij, Muharrem Mejtani, dikur pas Luftës së Dytë Botërore. 

Nevoja për jorganë, mbështjellës të tij, dyshekë e jastëkë kishte bërë që kjo zeje të marrë hov. Si shumë të tjera të këtij lloji qe zhvilluar më së shumti në Gjakovë. Nipi i Muharremit, Shefqeti, kujton se vështirësitë në punë në atë kohë kanë qenë të mëdha. 

“Gjyshi fillimisht kishte shkuar për një kohë për të punuar në Sarajevë, për ta mbajtur familjen. Por më pas është kthyer në Gjakovë, e pas viteve ’50 e ka nisur këtë zeje”, tregon Mejtani. Herët në moshë do të vdiste, por duke lënë trashëgimtarë edhe në zeje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme