Kulturë

Arti – mjet shërues e denoncues i padrejtësive në shoqëri

Me artin e saj Fitore Berisha përpiqet të ngrejë pyetje të shumta mbi tema jo fort të prekura në shoqërinë kosovare.

Krijimtaria e saj vjen si një lloj përkujtimi se të gjithë janë të cenueshëm, pavarësisht se prej nga vijnë apo cilës klasë i përkasin, shkruan sot Koha Ditore.

Pikturat, videot e performancat e Berisha ngrenë zërin kundër padrejtësive, eksploatimit dhe dhunës në shoqëri. E shembuj për synimet e saj dhe lidhshmërinë që ka arti me shëndetin mendor artistja kosovare ka dhënë në diskutimin me të që është mbajtur në kuadër të edicionit të dytë të ngjarjes “Terapia e artit”, të mërkurën mbrëma në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”.

Artistja ka folur se si nëpërmjet artit ajo shpreh veten, dhe në të njëjtën kohë e përdor atë si formë të shërimit shpirtëror duke prekur tema edhe personale për të. Ka rrëfyer se si i kanë ndihmuar seancat psikologjike me një profesionist të shëndetit mendor.

Ajo ka treguar se gjatë jetesës në Islandë ka punuar me fëmijët me autizëm. Me ta kishte filluar të punonte një lloj arti më teknikë përsëritjesh – teknikë kjo që ndikon në qetësim te fëmijët me autizëm. Vendosi pastaj që atë teknikë ta përdorte edhe në artin e vet, të cilën vlerëson ta ketë si formë meditimi.

Sot është dita e fundit me aktivitete në kuadër të “Terapia e artit”. Në orën 18:00 fillon një turnir për bamirësi në “Mana Board Game Bar” me lojën “Codenames”. Të gjitha të hyrat që mblidhen gjatë turnirit do të përdoren për të mbështetur iniciativa rreth shëndetit mendor.

Në ora 20:00 do të mbahet përmbyllja e Javës së Ndërgjegjësimit të Shëndetit Mendor me një koncert në qendrën shoqërore “Termokiss”, ku do të përformojnë artistë të ndryshëm lokalë, si Plator Gashi, Edona Vatoci, Fjolla Shaqiri e të tjerë.

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) është organizator i edicionit të dytë të “Terapisë së artit”, që synon që nëpërmjet aktiviteteve artistike ta përdorë artin si mjet terapeutik i cili promovon shëndet mendor pozitiv....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")