Kulturë

“Dodona” me çmimore për shfrytëzimin e skenës

Për ta realizuar një projekt teatror në skenën e teatrit të qytetit, regjisorët tash e tutje duhet të paguajnë.

Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës dhe menaxhmenti i “Dodonës”, e kanë publikuar çmimoren për shfrytëzimin e sallave të këtij teatri.

Sipas Blerta Bashollit, që udhëheq Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, kjo çmimore është përpiluar duke u bazuar në rregulloren për të hyra vetanake të institucioneve kulturore që janë vartëse të Komunës, të miratuar më 2017, transmeton emisioni Express në KTV.

Njëqind e tridhjetë e pesë euro (135) është caktuar të jetë shuma për shfaqjet mysafire dhe ko-produksioneve, të cilat inskenohen në skenën e mbrëmjes, derisa njëqind euro është çmimi për xhirimet në skenë dhe koncertet e muzikës klasike.

Basholli i ka thënë KTV-së se kjo çmimore është mekanizëm për rregullimin e ndarjes së të hyrave nga biletat me bashkëpunëtorët e jashtëm dhe ndërlidhet me marrëveshjet për ko-produksione dhe shfaqjet mysafire.

“Kjo është një praktikë, të cilën e praktikojnë kudo në botë të gjitha teatrot apo institucionet që mund të gjenerojnë të hyra nga hapësirat dhe pajisjet që i posedojnë”, u shpreh ajo. “Dodona” i përcakton çmimet e shfrytëzimit të pajisjeve nga palët e jashtëm për produksionet e tyre si të pavarura nga teatrit “Dodona”.

Vendimi për hartimin e një liste me çmime për shfrytëzimin e skenës së “Dodonës”, njerëzit e fushës së teatrit po e konsiderojnë hap të ngutshëm dhe veprim dekurajues për regjisorët e aktorët, të cilët edhe ashtu kanë vështirësi financiare në realizimin e shfaqjeve.

Nga ana tjetër, Visar Krusha, drejtor i teatrit “Dodona”, thotë se kjo çmimore është e përballueshme për projektet teatrore dhe, sipas tij, ky hap do t’i shtojë të hyrat e institucionit që e udhëheq.

Sipas tij, pa miratimin e ligjit të ri për teatrot, “Dodona” nuk mund të prodhojë asnjë shfaqje të veten.

Ko-produksionet dhe shfaqjet mysafire për fëmijë që do të inskenohen në skenën e “Dodonës” do të paguajnë pesëdhjetë euro.

Për sallën A të leximit çmimi për një ditë pune është dhjetë euro, ndërkohë për sallën B, është njëzet euro.