“Gof” paralajmërohet si vepër unike që zbërthen realitetin kosovar

“Gof” paralajmërohet si vepër unike që zbërthen realitetin kosovar

15 May 2019 10:18

Prishtinë, 15 maj – Rrugëtim fizik dhe virtual i tri personazheve që paraqet gjendjen e vetëdijes njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen tri forma të konceptimit të lirisë në shoqërinë bashkëkohore të Kosovës. Ky është përshkrimi i parë që i bëhet operës “Gof” me muzikë e libret të Liburn Jupollit, bazuar në dramën me të njëjtin titull të Anton Pashkut.

Rezultati i këtij projekti, që hodhi hapin dy vjet më parë, do të shihet sonte në premierën e kësaj opere në “Kino Armata” e që sipas paralajmërimeve do të jetë krejt unike. Bazuar edhe në pjesëtarët e ekipit të prirë prej Jupollit, njërit prej novatorëve në muzikë, çdo gjë bëhet e qartë. Në thelb është drama e Pashkut që shpërfaq realitetin shqiptar të viteve ’30, por Jupolli e zbërthen atë në kontekstin e realitetit të tanishëm. Janë tri personazhe: njëri e gjen lirinë në sëmundje, i dyti duke i dalë në ndihmë vendit dhe duke qëndruar brenda, e i treti e kërkon atë përmes ikjes nga vendi.

“Gof” vjen si bashkëpunim i festivalit “Tingujt e flautit” me organizatën joqeveritare “Rexho Mulliqi”. Historia shpaloset nga tri personazhe: Lulani (interpretuar nga tenori Luan Durmishi), Lulua (baritoni Armendo Likaj) dhe Lulashi që interpretohet nga Sinan Kajtazi, që vjen si balerin dhe këngëtar virtual në atë që quhet botëfilm.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme