Kulturë

“Beta Testim i Apokalipsit” edhe në shqip, thumbon jetën moderne

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ekonomitë okulte, zombit marksistë në Mars, shoqëritë sekrete arkitekturale dhe demonët demografikë, janë vetëm disa prej elementeve që mund të shfletohen në romanin grafik “Beta Testim i Apokalipsit”, botimi në shqip i të cilit është promovuar të hënën në kuadër të ‘GRANFestit”. Autor i këtij libri, Tom Kaczynski, ishte i pranishëm gjatë këtij evenimenti që u mbajt në qendrën “Multimedia”.

Për të, t’i shohë ilustrimet e tij në shqip, i jep mundësinë ta rishikojë punën e vet dhe ta shohë atë me sy të ri, me një lloj vizioni të ri e në një mënyrë të re, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Është gjithmonë emocionuese të shohësh punën tënde në një gjuhë tjetër. Vetëm se e bën atë të duket pak si e çuditshme dhe e pazakontë. Duket pak si e huaj, pothuajse sikur të mos jetë vetë puna ime, por në një mënyrë të mirë”, ka thënë Kaczynski, i lindur në Poloni, emigrant i rritur në Amerikë.

Ai është autor i romaneve grafike, karikaturist, disenjator e ilustrues. Ai ka të mbaruar shkollimin për arkitekturë, dhe ilustrimet e tij në librin “Beta testimi i apokalipsit” janë të hartuara në kohë e dimension arkitektural.

Për Kaczynskin, “Prishtina ka një fushë shumë interesante, aq shumë arkitekturë të re, aq shumë gjëra të reja po ndodhin - është kaotike, por ngjall emocion”.

Përkthimin në shqip të këtij romani grafik e ka bërë Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”, njëherësh dhe drejtor i përgjithshëm i festivalit “GRANFest”.

Në përurim, Kaczynski dhe Bajrami, të ulur pranë, kanë diskutuar më gjerësisht rreth librit dhe ilustrimeve në përgjithësi.

“Duke qenë përkthyes i librit, në të vërtetë kisha mundësi ta lexoja atë ndër të parët midis njerëzve këtu dhe çfarë më tërhoqi janë temat. Është një koleksion tregimesh, disa janë më të shkurtra, disa janë më të gjata dhe të gjitha kanë të bëjnë me një lloj jete moderne dhe pyesin nëse kjo jetë moderne po shkon drejt fundit të botës”, ka thënë Bajrami.

Edhe pse Kaczynski ilustroi duke pasur si referencë ShBA-në, duke parë botën përmes medias, udhëtimeve nëpër botë a përmes leximeve, ai ka dashur që ngjarjet e personazhet të kenë kuptim për audiencën kudo në botë. “Beta Testing the Apocalypse” qe botuar në anglisht më 2012.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)