Sistemet paralele, mjete për t’i shpëtuar regjimit totalitar Foto: Ilustrim

Sistemet paralele, mjete për t’i shpëtuar regjimit totalitar

Donjeta Mejtani 13 May 2019 12:23

Prishtina, 13 maj – Rëndësia e ekzistencës së sistemeve paralele në funksionim më të mirë të një shoqërie, në aspekte sociale, politike, ekonomike dhe më gjerë, u diskutua në qendrën “Multimedia” të dielën pasdite.

Në kuadër të edicionit të nëntë të festivalit të letërsisë, “Polip”, janë përmendur edhe sistemet paralele të arsimit që ekzistonin në Kosovë gjatë kohës së Jugosllavisë. Diskutimi është moderuar nga Matteo Colombi, i cili ligjëron për letërsi gjermane dhe çeke në Universitetin e Leipzigut në Gjermani. Pjesë e këtij paneli të diskutimit kanë qenë autorë të vendeve të ndryshme, si Marek Sindelka nga Republika Çeke, Lena Dorn nga Gjermania e Shkëlzen Maliqi, filozof, kritik arti e analist politik kosovar.

Pika kryesore për rrjedhjen e diskutimit ka qenë koncepti socio-politik ‘Parallel Polis’, i krijuar nga mendimtari çek politik dhe disidenti Vaclav Benda, në lidhje me iniciativën qytetare joformale, “Karta 77”. Panelistët kanë diskutuar se si shërbeu historikisht kjo kornizë teorike për ngjarjet shoqërore në qarqet disidente që Benda dhe filozofë të tjerë kërkonin të ndërtonin gjatë e pas rënies së komunizmit në Çekosllovaki.

Lena Doern ka bërë një përmbledhje të konceptit, fillimit e jetësimit të tij, duke orientuar bisedën në aspektet që ende janë interesante në ditët e sotme.

Ndërsa nga këndvështrimi i shkrimtarit çek, Marek Sindelkas, i cili ka qenë fëmijë kur kjo lëvizje kishte filluar, kjo iniciativë shoqërore ishte e rëndësishme dhe shërbeu si inspirim edhe për nisma të tjera pas saj, edhe pse mbase jo të cilësisë së njëjtë.

Ndërkaq kritiku kosovar, Shkelzen Maliqi, ka folur për politikën jugosllave, dhe në lidhshmëri me këto ngjarje të Çekosllovakisë tërhoqi trajektore krahasimi për sistemet paralele të arsimit në Kosovë. Sipas tij, krizat e fundit të shekullit 20 ishin procese komplekse.

Pas këtij paneli, në kuadër të festivalit “Polip”, në mbrëmjen e së dielës, në mensën “Ramiz Sadiku” autorët janë bërë bashkë për lexime e muzikë nga “Arshikët e Gjakovës”. Leximet kanë qenë pjesë e “Forumit Letrar të Fjalëve” një projekt bashkëpunimi për fjalën e folur, dhe u moderua nga aktori e poeti Shpëtim Selmani dhe autorja Lura Limani.Të hënën në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Prizrenit do të ketë diskutim me autorë e shkrimtarë, ndërsa në ‘Qendrën Multimedia’ do të bëhet promovimi i novelës grafike “Beta testing the Apocalypse” nga Tom Kaczinsky, botuar në shqip për herë të parë.

Të martën përmbyllja bëhet me një sesion leximi e diskutimi me autorin austriak Robert Prosser/ Donjeta Mejtani.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme