Kulturë

Gjuha e luftës midis shqiptarëve e serbëve pamundëson paqen

Prishtinë, 13 maj – Në kohën e mediave sociale, opinionet janë të shpeshta dhe secili mund ta shprehë publikisht atë që mendon. Por pavarësisht që liria e shprehjes është pozitive për të gjitha shoqëritë demokratike, opinioneve duket se u ka rënë vlera midis të tjerash edhe shkaku i sasisë.

Në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, të shtunën pasdite në qendrën “Multimedia”, shkrimtarë të njohur, në diskutimin “Koha e opinioneve” kanë folur për marrëdhënien e politikës me letërsinë. Pos kësaj, në këtë mes ka zënë vend edhe diskutimi “Ujdia letrare – rruga revolucionare” për marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. Panelistët kanë folur edhe për rolin e artit në këtë proces. Letërsia del të jetë një ndihmesë e madhe për raportet midis popujve. Por vetëm atëherë kur popujt janë të hapur për kulturën e tjetrit. E në një kohë jo të largët Kosova e Serbia ishin të mbyllura për kulturën e njëra-tjetrës.

Shkrimtari nga Kosova, Veton Surroi, dhe ai nga Serbia, Sreten Ugriçiq, nën temën “Ujdia letrare – rruga revolucionare” kanë folur për marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. I pari, një kohë gazetar, më pas themelues mediash, politikan i përfshirë në proceset më të rëndësishme politike në vend, e i dyti, shkrimtar e ish-drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë që në vitet ’90 kishte jetuar në Prishtinë. Ugriçiq ka qenë asistent në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, prej vitit 1992 deri më 1997.

Surroi ka thënë se shoqëritë në konflikt janë shumë më pak të hapura ndaj kulturave të njëra-tjetrës. Sipas tij, ky trend vazhdon të jetë i pranishëm në shtetet e ish-Jugosllavisë. Ka treguar se asokohe ai ishte rreshtuar nga krahu paqësor i lëvizjeve politike shqiptare në Kosovë. Ka thënë se për gjendjen që do të përkeqësohej edhe më shumë, ishte bërë e ditur në fjalimin që kishte mbajtur Slobodan Milosheviqi në Gazimestan, më 28 qershor të 1989-s kur kishte thënë se populli i tij nuk di të punojë, por të luftojë.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një hipnozë kolektive”, ka thënë Surroi. Për rolin e artit në krejt këtë histori ka marrë shembull se si Gjorgje Martinoviqi, një serb që gjoja shqiptarët më 1985 i kishin futur shishen e birrës në vrimë anale ishte paraqitur në artin serb edhe nëpërmjet një pikture ku krahasohej me kryqëzimin e Jezu Krishtit. “Kjo i binte që po bëheshin gati për luftë”, ka thënë Surroi. E lëvizja paqësore në Kosovë, sipas tij, vazhdimisht bënte thirrje për paqe.

Kohën e viteve ’90 në Prishtinë e kishte përjetuar edhe Sreten Ugriçiq. Sipas tij, atë kohë më së miri e shpjegon termi aparteid. Para se t’i jepte fjalën, Sasha Iliq, Ugriçiqiqin e ka përshkruar edhe si astronom. Realisht shkrimtari e filozofi serb, kësisoj e quan veten. Këtë e bën pasi është marrë shumë me historinë e Serbisë. Ka thënë se sipas historisë serbe, udhëheqësi Llazar në Betejën e Kosovës më 1389 midis pushtetit në tokë dhe atij në qiell kishte zgjedhur qiellin.

Shkrimtari shqiptar, Besnik Mustafaj, ka thënë se politikanët zakonisht i përdorin opinionet për të sulmuar kundërshtarët. Sipas tij, në këto raste nuk ka nivel të lartë debati.

Shkrimtari austriak, Robert Prosser ka thënë se koha në të cilën tash zhvillohet jeta ka një dinamizëm të madh në të gjitha fushat.

Të shtunën kanë lexuar nga krijimtaria e tyre Melinda Nadj Abonji, Robert Prosser, Ivana Bodrozhiq, Fumio Obata, Marek Shindelka, Ivana Maksiq e Azem Deliu.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")