Kulturë

Memorandumi për restaurimin e Hamamit në Prishtinë një vit pa asnjë rezultat

Descriptive Text

Të lumtur kishin thënë të jenë përfaqësuesit institucionalë kur më 24 prill të vitit të kaluar firmosën dokumentin prej dy faqesh, nëpërmjet të të cilit ishin marrë vesh për ta rinisur restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.

Por të paktën Ministria e Kulturës e Komuna e Prishtinës, si palë të Memorandumit të nënshkruar me agjencinë turke për zhvillim dhe rindërtim - TIKA, nuk dinë gjë për realizimin e tij.

Për institucionin lokal e qendror historia e marrëveshjes ka përfunduar atë ditë që është nënshkruar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, e nga koordinatori i TIKA-s për Kosovë, Burak Hasan.

Memorandumi ishte nënshkruar pesë vjet pasi u ndërprenë punimet në këtë monument, tek u konstatua se ai që u quajt restaurim ia ka humbur autenticitetin. Ka më shumë se një dekadë që institucionet lokale e ato qendrore u morën me këtë monument të shekullit XV.

Rreth 800 mijë euro nga buxheti i shtetit u shpenzuan aty. Në pikën e parë të marrëveshjes trepalëshe shkruhet se qëllimi i Memorandumit është zhvillimi i bashkëpunimit në kuadër të hartimit të projektit zbatues dhe zbatimin e projektit të restaurimit dhe rregullimit të oborrit të Hamamit të Madh, aset i mbrojtur sipas Ligjit për trashëgimi kulturore.

“Lidhur me këtë projekt ju lutem konsultohuni me IKMM-në, institucion pranë Ministrisë së Kulturës, meqë ata janë duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Blerta Basholli, drejtoreshë e Drejtorisë për kulturë, rini e sport në Komunën e Prishtinës. Për këtë çështje gazeta i ka drejtuar pyetje edhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, por ai nuk është përgjigjur.

Tash e më shumë se një vit prej nënshkrimit të Memorandumit, Ministria e Kulturës nuk ka informata se deri ku ka shkuar procesi.

“Në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore nuk kanë kërkuar ndonjë gjë”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.... (Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")