“Korça sipas një kosovari”, thirrje për ta zbërthyer qytetin e kulturës shqiptare

“Korça sipas një kosovari”, thirrje për ta zbërthyer qytetin e kulturës shqiptare

30 April 2019 16:14

“Korça sipas një kosovari”, libër nga autori Agron Shala, doli sot në shitje nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Libri është udhërrëfyes për Korçën, i konceptuar si një reportazh që ngërthen në vete kronikën e dokumentaren, dedikuar këtij qyteti.

Vepra e cila mund të lexohet me vetëm një frymë, tejkalon stereotipat Kosovë-Shqipëri, Veri-Jug, apo edhe paragjykimet përbrenda vet regjioneve të caktuara, të imponuara nga izolimet e dikurshme dhe mungesa e komunikimit të duhur sot. Duke u përqendruar te shqiptari i rëndomtë, në anën më të ndritshme të tij, në art e në kulturë, si dhe te shembujt e shumtë nga Korça për sakrificën, humanizmin dhe patriotizmin e vërtetë, zbërthehen hallet dhe ëndrrat reale të shqiptarëve që janë të njëjta kudo ku ata jetojnë sot në Ballkan.

Në këtë aspekt, Korça dhe shembujt e saj të ngritjes intelektuale, materiale, kulturore dhe të shtetndërtimit – mbetet shpresa e një rilindje të re shqiptare.

“Korça sipas një kosovari”, me një galeri të pasur ngjarjesh dhe personazhesh nga e kaluara dhe nga e sotmja, mund të perceptohet si një pasqyrë për Korçën e ditëve të sotme, por edhe si përmbledhje e ngjeshur e historisë së begattë dhe të vjetër të këtij qyteti.

Libri i ilustruar me 50 fotografi të rralla dhe të veçanta, këto ditë do të jetë i pranishëm në libraritë kryesore të Prishtinës.

Agron Shala, ka lindur në Mitrovicë në vitin 1977. Ka studiuar për psikologji dhe dramaturgji. Nga viti 1995 merret me gazetari ndërsa veprimtaria e tij shtrihet edhe në muzikë teatri, filmi e dokumentarësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme