Kulturë

“The Van” i Erenik Beqirit filmi i parë shqiptar në Kanë

Një ndër faktorët kryesorë për shkrimin e skenarit dhe më pas realizimin e filmit, është “nevoja” e shoqërisë shqiptare për të emigruar, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Kudo që shkon dhe pyet, nëpër shoqëri, shumica e tyre e shprehin këtë dëshirë për të ikur nga Shqipëria.

Mendoj që ky ka qenë faktori kryesor në realizimin e filmit”. Erenik Beqiri e shpjegon me këto fjalë për “Gazeta Shqiptare” shtysën që e çoi të realizonte filmin “The Van”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këtë prodhim të një të riu shqiptar, Shqipëria shënon herën e parë që një film shqiptar arrin të bëhet pjesë zyrtare e Festivalit të Kanës. “Besoj që pas këtij festivali, filmi do udhëtojë edhe nëpër festivale të tjera në botë”, thotë Beqiri. Në të interpretojnë aktorët Arben Bajraktari, Afrim Muçaj dhe aktori francez 27 vjeçar, Phénix Brossard. “Kanë, ja tek po vijmë! Faleminderit çdokujt që na qëndroi pranë. Krenarë që jemi shqiptarët e parë që marrim pjesë në garën zyrtare,”- shkruan Erenik Beqiri, autori i filmit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër.

“Filmi flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dali vetëm një fitues”, tregon Beqiri.

Furgoni (The Van) është një prodhim shqiptaro-francez, i realizuar me fonde Franceze. Xhirimet e filmit janë kryer ne fillim te muajit Janar të këtij viti dhe në Shkurt filmi mbylli post-produksionin në Paris.

Ai është film me metrazh të shkurtër dhe ka rrugëtimi i tij ka nisur në vitin 2016 në European Short Pitch.

Më herët, Beqiri ka marrë pjesë ne Tirana Gilm Festival me filmin “Bon Apetit” për të cilin do të shprehej se “një burrë i uritur për pushtet, gjen një mënyrë të re për të kënaqur oreksin e tij”, film i cili është shfaqur edhe në Kanada.

Në filmin e parë interpretonin aktorët Romir Zalla, Arben Bajraktaraj e Ema Andrea.

“Bon Appetit” numëron disa çmime nga festivale të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. ‘Bon Appétit’ ka në qendër një burrë, që ecën nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur deri sa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij.

Ai është shfaqur edhe në International Film Festival në Francë. Në Frostbiter: Icelandic Horror Film Festival “Bon Apetit” është shpallur filmi më i mirë i shkurtër i huaj në një garë ndërkombëtare. Ai është shfaqur edhe në Ithaca Film Fest, Festival de Cortos de Bogotá – BOGOSHORTS, në Toronto, në Lund International Fantastic Film Festival, ndërsa në Festivalin e Tetovës ka fituar çmimin “Best cinematography”.