“Avangers: Endgame” drejt thyerjes së rekordeve edhe në Kosovë

“Avangers: Endgame” drejt thyerjes së rekordeve edhe në Kosovë

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 26 April 2019 11:26

Betejat për ta shpëtuar universin janë të zjarrta. E miqësia është boshti i personazheve të filmit. Por cikli i “The Avengers” numëron shumë miq edhe në këto anë. Vetëm të mërkurën, kur “Avangers: Endgame” është shfaqur premierë në “Cineplexx” në Prishtinë, atë e kanë shikuar fiks 1.644 veta.

Shumica prej tyre llogaritet të jenë shikues të rregullt edhe të serive paraprake. E parafundit, “Infinity War” i ka lënë shumë çështje pezull. Krejt ato sqarohen në “Anagers: Endgame”. Kjo del të jetë një prej arsyeve që kosovarët ia kanë mësyrë kinemasë, shkruan sot “Koha Ditore”. Vetëm në “Cineplexx” të enjten është dhënë në tetë terminë. Ditëve në vazhdim e sidomos në fundjavë do të numërojë edhe më shumë shfaqje ditore.

Mehmet Sertolli është ekspert i teknologjisë informative. Megjithëse në këtë film teknologjia ka goxha peshë, seritë e fundit i kanë pëlqyer më shumë sesa ato paraprake, pasi janë më reale. Sertolli ka prerë biletën pasditen e së enjtes nja 40 minuta para terminit kur kishte planifikuar ta shikonte filmin.

“Seria e parafundit ka përfunduar interesant. Ka mbetur si në gjysmë. Kjo është ajo që më tërheq. Pastaj dihet se tash kjo është seria e fundit. Të parat ndoshta kanë qenë më shumë fantazi e tash është bërë më real”, ka thënë Sertolli, që mbante biletën në dorë. Megjithëse numri i atyre që kanë pritur në radhë për të prerë biletat nuk dukej i madh, “Cineplexx” numëron një javë prej kur i ka nxjerrë ato në shitje. Për ditët në vazhdim nga një mijë bileta janë të shitura.

Për fundjavë atë e ka marrë edhe Tringa Gashi, ekonomiste.

“Pos që është fundjave e na ofrohet mundësia më lehtë të jemi në kinema, përmbyllja e ngjarjes së të gjithë atyre serive nuk bën të lihet pa shikuar”, ka thënë ajo, derisa kishte siguruar “lejet” që së bashku me dy mikesha ta shikonte filmin.

Seritë që kanë bërë një lloj historie në kinematografinë botërore, ashtu dalin të jenë edhe në Kosovë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme