Kulturë

“T’i këndojmë pranverës” për zërin besnik të këngës burimore

Midis emrave më të njohur të muzikës burimore shqiptare është ai i Riza Bytyçit. Numëron më shumë se gjysmë shekulli në skenë. Njihet si doajen i këngës popullore. E i tillë edhe është ngjitur në skenë me këngën “Topolake”.

Me t’u përmendur emri i tij në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, publiku ka shpërthyer në ovacione. Ishte kryepersonazhi i koncertit të së mërkurës “T’i këndojmë pranverës” i organizuar nga ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky koncert tashmë tradicional, këtë vit i është kushtuar njërit prej ikonave muzikore shqiptare, i cili ka kohë që ka marr epitetin e doajenit të këngës shqipe. Me rastin e pensionimit të tij, Riza Bytyçi ka qenë midis emocioneve të një gjysmëshekulli në interpretim, e gëzimit që adhuruesit e tij po e ndiqnin në koncertin që shënon ditëlindjen e 65-të. Orkestra e ansamblit “Shota” në këtë mbrëmje të veçantë ka shoqëruar solistët më të mirë të institucionit.

Myrvete Bajrami-Haziri, Majlinda Cikaqi, Violetë Kukaj, Ardiana Bytyçi janë midis këngëtarëve që e kanë shoqëruar publikun, kur Bytyçi “pushonte” prapa skenës. Ai i është kthyer skenës me këngën “Vijnë vaporët”, për të vazhduar me një potpuri kosovare. Interpretimi i Bytyçit, si gjithmonë ka bërë që të pranishmit të shëtisin nëpër perlat muzikore shqiptare të zhanreve të ndryshme. Në ritmin e tij kanë qenë edhe kolegët e “Shotës” e ansambleve të tjera me të cilat ka bashkëpunuar.

“T’i këndojmë pranverës” ka paraqitur për publikun edhe këngëtarët Besarta Myrezani, Jetmir Rexhepi, Liridon Sadriu, e Granit Musliu. Në shenjë të mirënjohjes për krejt kontributin e tij të dhënë për këngën shqipe dhe ansamblin “Shota”, drejtori i këtij institucioni, Shefqet Gjocaj i ka dhuruar Bytyçit një pllakat me logon e “Shotës”. Gjocaj e ka siguruar publikun se pavarësisht pensionimit, Bytyçi do të jetë edhe në të ardhmen pjesë e institucionit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)