“Termokiss” edhe në Tiranë për rivitalizimin e hapësirës së braktisur

“Termokiss” edhe në Tiranë për rivitalizimin e hapësirës së braktisur

Donjeta Mejtani 25 April 2019 12:03

Prishtinë, 25 prill – Të rinjtë nga komuniteti i qendrës shoqërore e kulturore “Termokiss” në Prishtinë synojnë rivitalizimin e një hapësire të braktisur në Tiranë. “Termokiss”, që ka mision reflektimin mbi ndryshimin urban e civil, shërben si hapësirë ku mblidhen të rinjtë për të zhvilluar projektet apo idetë e tyre. Kjo qendër funksionon prej korrikut të vitit 2016, kur ky komunitet në Prishtinë bëri rivitalizimin e objektit industrial të braktisur që i takonte ngrohtores së qytetit “Termokos”. Një gjë të ngjashme synon ta bëjë tani edhe në kryeqytetin e Shqipërisë.

Eljesa Beka, një nga organizatoret e komunitetit të kësaj hapësire, ka treguar se tashmë kanë zhvilluar disa takime me drejtorët e urbanistikës së Bashkisë së Tiranës, të cilët janë treguar mbështetës të kësaj iniciative. Megjithatë, akoma nuk është vendosur për objektin që do të shfrytëzohet për rivitalizim.

Beka ka thënë se janë 80 persona nga komuniteti lokal e ndërkombëtar që do të shkojnë në Tiranë për ta realizuar këtë qëllim.

“Nëse Bashkia e Tiranës nuk na e jep një objekt, kemi me e gjetë vetë. Edhe kur jemi 80 veta për një kauzë shumë të mirë si rivitalizimi i një hapësire të hapur për krejt, atëherë i bie që me apo pa suport të Komunës projekti ndodh”, ka theksuar Beka.

Me qëllim të ngritjes së fondeve për rivitalizimin, të shtunën, më 27 prill, prej orës 17:00 do të mbahet një koncert në qendrën “Termokiss”.

Blerta Kosova, Plator Gashi, Baton Gjakova, Tadi e Matale janë disa prej emrave të artistëve e muzikantëve të rinj që do të performojnë në këtë eveniment.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme