Kulturë

Heshtja ishte rezistencë në kohën e diktaturës, thotë Shllaku

Descriptive Text

Prishtinë, 24 prill – Dita Ndërkombëtare e Librit është bërë sebep që poeti, dramaturgu, prozatori dhe përkthyesi Primo Shllaku të vijë në Prishtinë, në takimin letrar që është mbajtur të martën në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka folur për poezinë, letërsinë dhe për gjendjen aktuale kulturore. E ka shpjeguar edhe heshtjen e tij “të zëshme” gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Sipas tij, ajo ka qenë një lloj rezistence dhe ka pasur një shpjegim për këtë.

Hapjen e këtij takimi letrar e ka bërë Ag Apolloni, shkrimtar dhe profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai e ka cilësuar Shllakun si një autor gjithëshqiptar, meqë ai nuk është autor i standardit, por një autor gegë. Sipas Apollonit, fakti që Shllaku si formë rezistence ndaj regjimit komunist ka ditur të heshtë dhe nuk ka botuar asnjë rresht, e bën atë shkrimtar të veçantë.

“Unë ardhjen e Primo Shllakut në letërsi, sidomos në letërsinë e Shqipërisë, atje ku realizmi socialist kishte shkretuar gjithçka, e shoh si një ringjallje të fjalës”, ka thënë Apolloni.

Heshtjen e tij gjatë atyre viteve Shllaku e krahasoi me historinë e Odisesë të Homerit. Kur duhej të kalonte nëpërmjet një ngushtice në det, ku sirenat këndonin me zë të bukur, Odiseja, për të mos e humbur rrugën e tij, mbushi veshët me dyllë që të mos tundohej.

Ai ka theksuar se ka bërë këtë zgjedhje, sepse priste një kohë tjetër e cila do t’i jepte të drejtë të botonte ato që kishte shkruar.

Autor i librave “Hana e njelmët e ditës”, “Lule nate”, “Muzikantët”, “Edhe fjalët shkojnë në ferr”, dhe së fundi i dramës “Aktorë pa kujtesë”, ka folur edhe për kritikën letrare. Sipas tij, ajo nuk është as lëvdatë, as sharje.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")