Autoritetet serbe e refuzuan, teatri i Preshevës pret përkrahje nga qeveria kosovare për renovim

Autoritetet serbe e refuzuan, teatri i Preshevës pret përkrahje nga qeveria kosovare për renovim

23 April 2019 21:46

Projekti për rinovimin e teatrit të Preshevës, nuk ka gjetur mbështetje financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës në Serbi.

Pas këtij refuzimi, drejtuesit e këtij institucioni kulturor kanë vendosur të kërkojnë ndihmë te Qeveria e Republikës së Kosovës.

Dyzet mijë euro është shuma e kërkuar nga krerët e teatrit te Qeveria e Ramush Haradinajt.

Valon Nuhiu, drejtor i Teatrit të Preshevës, që funksionon si degë e Shtëpisë së Kulturës, është i bindur se projekti i tyre do të marrë sinjale pozitive që brenda gjysmës së dytë të këtij viti, objekti i teatrit në Luginë të ketë pamje të re, raporton “Express” i KTV-së.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyra e Qeverisë Haradinaj i ka thënë Kohavisionit se deri më tani, në Luginë janë mbështetur dy projekte kapitale me shumë prej pesëdhjetë mijë eurosh.

Sa i përket teatrit, nuk është specifikuar shuma, por sipas përgjigjes, qeveria pritet ta shqyrtojë mundësinë për ta përkrahur projektin e rinovimit të Teatrit në Preshevë.

“Janë edhe 3 projekte tjera të cilat janë prezantuar dhe për të cilat po shqyrtohet mundësia e akomodimit në strukturën buxhetore të vendit. Bëhet fjalë për projektet si: Rinovimi i Teatrit, shkolla Digjitale dhe një fushë e sportit. Kurdo që kemi ndonjë lëvizje në këtë drejtim, sigurisht që ju informojmë me kohë”. Është kjo përgjigjja nga zyra e kryeministrit aktual të vendit.”

Nga ana tjetër, kritiku i artit, Ilir Muharremi, thotë se ky projekt të mos shndërrohet për përfitime politike, por të trajtohet si gjest human për të fituar vetëm arti.

Teatri i Preshevës, i cili aktualisht ka pesë aktorë rezidentë, në nëntorin e vitit të kaluar, ishte mbyllur me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, me arsyetimin se objekti nuk posedon sistemin kundër zjarrit.

Ky teatër u hap pas pesë muajve pauzë me shfaqjen premierë “Misteri”, e inskenuar nën regji të Afeida Boriqi Memetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme