Kulturë

Projekti për muzeun “Ibrahim Kodra” kthehet në pikën zero

Prishtinë, 23 prill – Fundi i vitit të kaluar ishte paralajmëruar si afat kur muzeu “Ibrahim Kodra” në kryeqytet do të hapte dyert për vizitorë. Kjo kohë e hapjes ishte përmendur në qershor, përderisa Komuna e Prishtinës dhe fondacioni “Ibrahim Kodra” kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Në tetor ishin publikuar disa pamje të projektit ideor se si do të dukej muzeu në ish-ndërtesën e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”.

Por me kaq ka përfunduar gjithçka sa i përket realizmit të projektit. Nuk është bërë më asnjë hap sa i përket kësaj çështjeje. Meqenëse bëhet fjalë për adaptimin e një monumenti, Komuna do të duhej që projektin ta dërgonte për aprovim në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Adrian Berisha, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh këshilltar i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ekipi i arkitektëve të angazhuar nga fondacioni “Ibrahim Kodra” e ka hartuar projektin ideor. “Jemi në bashkëbisedim me IKMM-në që ata të shohin se a mund të realizohet ky projekt. Biblioteka e dimë që është nën mbrojtje. Tash ne jemi duke iu qasur problemit nga fillimi. Tash do t’i dërgohet IKMM-së dhe ata do ta shohin se çfarë punimesh do të bëhen”, ka thënë ai. Ka kritikuar qasjen e mëhershme sa i përket muzeut.

Por përgjigjja që ka marrë gazeta nga IKMM-ja është se në këtë institucion nuk ka shkuar ndonjë projekt për shqyrtim.

Madje projekti nuk ka arritur as në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")