Kulturë

Arti me materiale të ricikluara si thirrje për mbrojtjen e ambientit

Descriptive Text

Prishtinë, 23 prill − Anekënd hapësirës së shkollës fillore të mesme, të ulët “Shkolla e gjelbër” në kryeqytet gjelbërimi kombinohej me rrezet e diellit të pasdites. Goma makinash të ngjyrosura, shndërruar në saksi lulesh dhe një pajisje e quajtur “Eco rimorkio” kane zënë vend në një pjesë të oborrit. Kjo pajisje, që ka kushtuar 175 mijë euro, është donacion nga GIZ-i gjerman dhe shërben për përgatitjen e ushqimeve përmes energjisë që përfitohet nga dielli dhe rrezatimi.

Mësimdhënësi i fizikës, Blerim Dalipi, ka thënë se për të mësuar si përdoret kjo pajisje ka shkuar së bashku me dhjetë nxënës në një trajnim dhjetëditor dhe ideja ka qenë që të vetëdijesohen për mbylljen e termocentraleve që janë burim i madh i ndotjes dhe të promovohet sa më shumë efiçenca e energjisë. E vetmja pajisje që nuk ishte realizuar ishin materialet e ricikluara.

Në korridorin e “Shkollës së gjelbër” ekspozita me art prej materialeve të ricikluara ka qenë “kryefjala” e aktivitetit të së hënës në këtë institucion. Shkollat e kryeqytetit janë bërë tok në këtë ekspozitë garuese përderisa 15 prej tyre ishin të pranishme në hapje.

Materialet si kuti e lëvozhga të vezëve, gazeta, kartonë, kapakët e shisheve, shishet e ujit, letrat e gjësendeve ushqimore, janë përdorur për të bërë vepra artistike, si: fustane, piktura, makete fushash e ndërtesash. Kritere të garës kanë qenë pëlqimet e veprave në Facebook, në faqen e “Shkollës së gjelbër”, dhe vlerësimi i komisionit që përbëhej nga dy përfaqësues komunalë – drejtoresha e parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, dhe Adrian Berisha, këshilltar – si dhe nga organizata “Green Art Center - GAC”, Adhurim Hoxha dhe Merlina Beu-Muçaj. Nxënësit u kanë shpjeguar atyre rreth punimeve, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, kryesisht prindër të nxënësve, kanë pritur jashtë dyerve. Vendin e parë e ka marrë shkolla fillore e mesme e ulët “Nazim Gafurri”, që është shpërblyer me 1800 euro, të dytin “Qamil Batalli” me 700 euro dhe “Dardania” me 500 euro. Ky aktivitet është mundësuar nga Komuna e Prishtinës si pjesë e nismës “Bëhu mik i tokës”.

Arif Abazi, zëvendësdrejtor i shkollës “Nazim Gafurri”, ka thënë se vepra që e kanë punuar nxënësit e kësaj shkolle ka pasur si motiv oborrin e shkollës me pjesët përreth, duke filluar me stadiumin e Flamurtarit, Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe pjesa më e veçantë ka qenë një kënd i imagjinuar i lojërave që kanë planifikuar ta bëjnë në rast se e fitojnë garën.

“Kemi pasur shumë pëlqime në Facebook, fëmijët kanë punuar gjatë gjithë javës. Të gjitha kanë qenë me materiale të ricikluara dhe asgjë nuk kemi pasur të gatshme paraprakisht”, ka thënë ai. Ka thënë se ato të holla do t’i përdorin për të gjelbëruar afro 2 hektarë të oborrit të shkollës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

{gallery}