Kulturë

“Përbindëshat” e shkrimtarit Stefan Boskoviq

Shkrimtari malazez, Stefan Boskoviq, po qëndron në kryeqytet, në kuadër të rezidencës “Prishtina nuk ka lumë”.

Në hapësirën e galerisë “Monet”, të enjten mbrëma ai mbajti një lexim publik me adhuruesit e letërsisë.

“Interpretimi prej perspektivës së fajësisë fëmijërore” ishte tema rreth së cilës u zhvillua diskutimi, e që rrjedh nga tregimi “Përbindëshat” i Boskoviqit, transmeton Express në KTV.

Ky tregim, shtjellon periudhën kur fëmija kalon në adoleshencë, perspektivën e tij, atë të prindërve dhe momentin kur të gjitha këto ndeshen me njëra-tjetrën.

Te “Përbindëshat” autori sjell edhe një pjesë nga fëmijëria e tij.

“Ky tregim quhet ‘Përbindëshat’ dhe këtë perspektivë të fëmijërisë, fajësisë, do të thotë të fëmijës, e kam vetëm si njërën prej temave. Nuk është tema kryesore”, shprehet Boskoviq.

Në gjithë tregimin ka jo vetëm një temë, por janë disa cikle që merren me fëmijërinë, me kalimin në adoleshencë. Kryesisht të kësaj përndeshjes në mes të fëmijës që kalon adoleshencën dhe ndeshjen e tij me prindër.

Do të thotë perspektiva e fëmijës dhe perspektiva e prindit, që ndeshen mes vete.

Fjolla Hoxha, dramaturge, kritike e teatrit dhe dramës, e cila ka moderuar leximin, shpjegon pse e ka shkëputur nga libri pikërisht këtë temë.

Aktorja Fatlume Bunjaku, u bë pjesë e këtij leximi publik krejtësisht spontanisht.

Stefan Boskoviq ka botuar edhe tregime tjera të shkurtra si “Në pikën e vdekjes” dhe “Gjërat e mia të preferuara”.

Shkrimet e tij janë publikuar në gjuhën angleze, gjermane, sllovene, maqedonase etj.

Ai do të qëndrojë në Prishtinë deri në fund të muajit prill.