Akademiku Emin Riza “skanon” gjendjen e monumenteve të kulturës në Shqipëri

Akademiku Emin Riza “skanon” gjendjen e monumenteve të kulturës në Shqipëri

19 April 2019 14:44

Akademiku edhe studiuesi Emin Riza flet për gjendjen e monumenteve të kulturës. Restauratori i njohur thotë se gjendja ka ardhur duke u rënduar pas viteve ’90. Riza shpjegon edhe se si politikanët shqiptarë sapo bëhen ministra, bëhen edhe specialistë.

Puna e tij në fushën e ndërtimeve të vjetra prek afro një gjysmë shekulli. Emin Riza, studiues i monumenteve dhe një nga emrat më në zë të restaurimit në vendin tonë, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe Siteve Arkeologjike (dje) bën një analizë të situatës aktuale, përsa i përket punës që bëhet për ruajtjen e trashëgimisë materiale. Situata sipas tij, pas viteve ’90, ndryshe nga sa ishin pritshmëritë, ka ardhur duke u degraduar. Në atë që ai e quan si periudha e “bolshevizmit të skajmë”, pavarësisht problematikave të njohura të kohës, Shqipëria ishte një nga vendet që spikaste për progresin e bërë në fushën e restaurimit. Një fakt të tillë, sipas studiuesit, e kanë pohuar edhe specialistë të huaj. Kështu ai kujton se gjatë vitit ’81, në një nga vizitat e kryetarit të Qendrës Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve në Romë asokohe, Xhevat Erder (ekspert i njohur për mbrojtjen e trashëgimisë), do të ndante me të një përshtypje të tijën, që i bënte nder një vendi si Shqipëria. “Mbasi u njoh me situatën në Institutin e Monumenteve, dokumentacionet unë e shoqërova në qytetet e Shqipërisë. Në ditën e tretë teksa po ecnim drejt Hotel ‘Dajtit’, përpara se të hynim ai ndaloi dhe më tha: ‘Emin, Qendra Ndërkombëtare e Restaurimit të Monumenteve nuk duhet të jetë në Romë, por në Tiranë’. Pra, kriteret e restaurimit, shkalla e ndërhyrjes në monumente, veçanërisht në ’65-ën deri në ’90-ën e kishin bërë Shqipërinë padyshim, një nga vendet më të shquara”, shprehet akademiku Riza.

Shekulli: Zoti Riza, rasti i “Notre Dame de Paris” vuri në dukje, një ngatërresë që ndodh shpesh mes termave restaurim dhe rindërtim, prej nga buron ideali se katedralja “Mund të bëhet më e bukur se më parë”… Cili është faktikisht thelbi i restaurimit të monumenteve?

Emin Riza: Thelbi i restaurimit konsiston në synimin e tij për të ruajtur monumentet. Pra, për të përmirësuar gjendjen ekzistuese të tij. Jo ta bëjmë siç ka qenë, por ta ruajmë siç është, sepse restaurimi synon së pari të ruajë vlerat origjinale të monumenteve. Sigurisht që kur për arsye të ndryshme, siç qe zjarri i “Notre Dame de Paris” ndodh diçka e jashtëzakonshme mund të rindërtohet, por nuk quhet më restaurim, por rindërtim. Sepse, janë shënuar vlerat origjinale, ato që kanë mbetur janë ruajtur, ndërsa ato që janë shkatërruar krejtësisht rindërtohen. Rindërtimi është një kategori tjetër ndërhyrëse, restaurimi është tjetër. Restaurimi është ruajtja e ekzistueses, me ndërhyrje të pjesshme për të mos lejuar shkatërrimin e mëtejshëm dhe natyrisht është ta ruajmë ashtu siç është, restaurimi synon ta ruajmë monumentin siç është. Jo ta bëjmë siç ka qenë. Sepse, shpesh njerëzit e thjeshtë kujtojnë se restaurimi nënkupton që ta bëjmë një monument siç ka qenë, por nuk është aspak kështu.

Shekulli: Ju më sipër u shprehët se përpara ’90-ës, përsa i përket ruajtjes së trashëgimisë materiale Shqipëria ka qenë e mirëpozicionuar. Cila është zanafilla e punës me monumentet dhe cilët ishin iniciatorët ?

Emin Riza: Në vitin 1962, së bashku me Piro Thomon dhe Aleksandër Meksin jemi emëruar në grupin e kulturës materiale, i cili varej nga Instituti i Historisë së Gjuhësisë dhe kishte seksionin e etnografisë dhe të monumenteve. Ne u emëruam në seksionin e monumenteve në grupin e kulturës materiale. Në ’65-ën seksioni i monumenteve krijoi Institutin e Monumenteve. Kurse seksioni i etnografisë krijoi Institutin e Etnografisë. Kontributi kryesor i takon padyshim arkitektit Gani Strazimiri, për të cilin kam kujtimet më të mira si profesionist i përkushtuar, por edhe si njeri jashtëzakonisht pozitiv, i cili kredon politike e ka përdorur vetëm për mirë. Gani Strazimiri është themeluesi i koncepcionit shqiptar për restaurimin, i cili sot e kësaj dite në Ballkan dhe më gjerë në Evropë, është ndër vendet e para.

Shekulli: Çfarë ndodhi pas ’90-ës me restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve?

Emin Riza: Fatkeqësisht, mbas ’90-ës filloi një rënie e dukshme e interesit nga ana e organeve të ngarkuara për vlerësimin e këtyre monumenteve (Pra, gjurmimin, evidentimin e vlerave që meritojnë të cilësohen monument, dokumentimin, mbrojtjen, studimin, restaurimin dhe botimin e këtyre vlerave). Një rënie, e cila vijon edhe sot e kësaj dite. Instituti i Monumenteve me largimin e treshes së parë (Aleksandër Meksi, Emin Riza, Piro Thomo) dhe të brezit të dytë, i cili gjithashtu ishte i rëndësishëm, sepse ishte i formuar në punë dhe nëpërmjet punës, Valter Shtylla (specialist i monumenteve të Kulturës), Genc Samini (inxhinier dhe restaurator) etj. Janë emra që kanë punuar shumë, brezi që na pasoi e që ka punuar bashkë me ne. E theksoj faktin “i formuar në punë dhe nëpërmjet punës”, pasi shkollat e restaurimit nxjerrin specialistë që marrin parimet e përgjithshme, por për t’u bërë profesionist duhen disa vite, të paktën 5 vjet punë dhe të ushtrosh konkretisht profesionin. Jo vetëm ta zotërosh teknikisht.

Pas ’90-ës, u ndërmorën disa hapa negativë që prekën themelet e kësaj pune. Ndryshimet që u bënë me justifikimin e ruajtjes së fondeve, qenë absurditete monument shkatërruese. Kështu mund të përmend heqjen e rrjetit të kujdestarëve të monumenteve, heqjen e rrjetit të punonjësve që ishin caktuar për të bërë meremetimet e vogla të monumenteve etj. Sipas kartës së restaurimit këto të fundit përfshijnë mirëmbajtjet e vazhdueshme që përbëjnë thelbin e restaurimit. Pra nëse konstatohet një dëmtim i vogël duhet që të rregullohet menjëherë që të mos arrijë në një tjetër shkallë. Përpos këtyre degët dhe atelietë u shkëputën nga Instituti i Monumenteve dhe vareshin nga bashkitë, kryetarët e të cilëve, thënë troç, e kanë mendjen tjetërkund.. e nuk kanë interes për monumentet e kulturës.

Të gjitha këto bënë që të jemi në këtë gjendje, që është katastrofike. Është e tillë, sepse është e pariparueshme! Nëse kthemi te”Notre Dame de Paris”, një pjesë e saj tani do të rindërtohet. Sigurisht që në raste të tilla nuk ke se çfarë bën tjetër, por tek ne monumentet lihen derisa shkojnë drejt degradimit. Siç po ndodh në shumë godina të Gjirokastrës, që shkatërrohen e mandej ringrihen. Madje për rindërtimin e tyre edhe specialistët janë të improvizuar.

Rënia është kaq e theksuar saqë do të duhen vite e vite që të arrijmë kriteret e njohura ndërkombëtare, madje edhe kombëtare shqiptare për rikrijimin e personelit tekniko shkencor të restaurimit.

Shekulli: Cilat janë konkretisht monumentet më të rrezikuara?

Emin Riza: Sipas meje, monumentet më të rrezikuara janë banesat popullore, kjo sepse shfrytëzohen për banim. Është e kuptueshme se kërkesat e sotme jetësore janë gjithmonë në rritje, krahasuar me 100-200 vite më parë, periudha në të cilat datojnë banesat që janë vënë në mbrojtje si monumente kulture.

Natyrisht që kushdo do të kërkonte të bënte ndryshime që përshtateshin me mënyrën e sotme të jetesës. Pra janë më të rrezikuara këto banesa, të cilat edhe për shkak të prapambetjes relative të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera, apo të lidhjes së etnosit me banesën, janë të një tipologjie të larmishme. Po ashtu spikasin për arritjet kompozicionale teknike, me vlera të jashtëzakonshme në hapësirën ballkanike dhe më gjerë.

Shekulli: Po flitet së fundmi për ndërhyrje të gabuara në procesin e restaurimit të monumenteve. Cilët janë, sipas jush, shkaktarët e një fenomeni të tillë?

Emin Riza: Ndërhyrjet e gabuara ndodhin për dy arsye kryesore; E para, ka të bëjë me përgatitjen profesionale, në një nivel të papërshtatshëm të restauratorëve të këtij brezi. Si dhe me ngutjen, pra mosdiskutimin në detaje të projekteve që propozohen nga instanca të ndryshme. Edhe pse formalisht mund të diskutohen pranë Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, ku kam qenë edhe unë dikur anëtar. Mirëpo, nuk është më sekret, politikanët tanë, sapo bëhen ministra menjëherë bëhen specialistë, kështu që dhe unë asokohe, kur e pashë se drejtuesja, Mirela Kumbaro (ish-ministrja e Kulturës) kishte një sjellje të tillë dhashë dorëheqjen.

Pas kësaj, erdhën emra të tjerë, i caktoi ajo siç caktohen sot drejtorët. Mirëpo unë dua të theksoj, se para se të ndodhte kjo ka qenë një rregull i pashkruar në Institutin e Monumenteve: që drejtuesi i Institutit të Monumentit të Kulturës, duhet të dalë nga radhët e punonjësve të IMK-së.

Dhe të gjithë drejtuesit, që kanë qenë pas Gani Strazimirit kanë qenë ish-punonjës të IMK-së. Por tani vendos ministrja! Dhe më vjen keq ta pranoj, por dyshoj se drejtuesja aktuale, me të cilën nuk kam asgjë personale, e ka idenë se çfarë është restaurimi…

Mirëpo një nga detyrat kryesore të drejtuesit të IMK-ës është të shikojë nga afër gjendjen e monumenteve. Kjo, sepse monumenti është si një njeri i sëmurë… Duke qenë një ndërtim shumë i hershëm, ka degradime të natyrshme të karakterit konstruktiv, teknik etj. Vrojtimi mbi të duhet të jetë i vazhdueshëm dhe nëpërmjet kujdestarëve, por meqenëse kujdestarët nuk janë specialistë të mirëfilltë, duhet që të paktën dy herë në vit pjesëtarë të sektorit përkatës së IMK-së të kontrollojnë gjendjen e monumenteve.

Shekulli: Duke qëndruar tek ndërhyrjet e shumëpërfolura si të papërshtatshme. Cilat janë përshtypjet tuaja për ndërtimin e bar-kafe-restorantit në Butrint?

Emin Riza: Ndërtimi i “kafehënës” për mua është tërësisht i papranueshëm. Madje mendoj se jo vetëm një profesionist, por edhe një qytetar i zakonshëm mund ta vërej lehtësisht këtë. Mund të pranohen disa ndërtime të tjera të domosdoshme, që janë në dobi të vizitorëve, por “kafehëna” në qendër të monumentit… Këto janë dukuri të papranueshme për një qendër antike dhe mesjetare siç është “perla” e Butrintit.

Shekulli: Përpos monumenteve, sot (dje) është dita kur logohet edhe më shumë për mbrojtjen e Zonave Arkeologjike të mbrojtura. Sheshi në ndërtim “Veliera” është i kategorisë A, cili është mendimi juaj për atë çka po ndodh në Durrës?

Emin Riza: Me “Velierën” po bëhet pa diskutim një shkelje shumë e madhe. Madje do ta quaja skandaloze. Shqipëria po mbledh në fushën e monumenteve dhe të siteve arkeologjike çudira. Unë nuk gjej fjalë të përshtatshme për të përshkruar dëmin e jashtëzakonshme që është bërë me “Velierën”. Kemi të bëjmë me një Zonë Arkeologjike të Kategorisë A, me një dëshmi autentike e origjinale për një periudhë, për të cilën edhe në vende të zhvilluara të Evropës dëshmitë janë të pakta. Kjo sepse brezat pasues i prishin dhe i ndërtojnë sipas nevojave të tyre. E keqa në rastin e “Velierës” është se dëmtimi po vazhdon.. E kuptoj se duhet një rrugë kalimi, por kjo duhej bërë duke ruajtur këtë dëshmi historike-kulturore.

Shekulli: Kur flasim për monumente kryesisht përmenden ndërtesat e lashta (më shumë se një shekullore), por a ka ardhur momenti që të mendohet edhe për objekte të periudhave të afërta, si ajo e diktaturës?

Emin Riza: Monumentet janë përfaqësuese konkrete të ndërtimeve të kategorive të ndryshme, në kohë të ndryshme. Kur them në kohë të ndryshme, nënkuptoj në rrethana historiko-shoqërore të ndryshme, kështu që edhe ndërtimet e bëra edhe në kohën e të ashtuquajturit komunizëm, ose siç unë preferoj ta quaj “bolshevizëm i skajmë”…, duhen shqyrtuar. Përshembulll karakteristikë për këtë periudhë kanë qenë banesat shumë të vogla, por kjo është një dukuri me të cilat brezat e ardhshëm duhet të njihen. Edhe pse ruhet planimetria, foto etj., duhet të ketë disa shembuj. Përshembull, sipas meje blloku i banimit që është në Jug të sheshit, para Hotel ‘Dajtit’, duhet të shpallet monument kulture dhe të ruhet. Kjo, sepse, në të ardhmen, për brezat pas 200-300 vjetësh, historia e këtyre objekteve do të jetë një histori e vjetër, dhe ata duhet të kenë shembullin e prekshëm. Tek e fundit funksioni kryesor i monumentit të kulturës është dëshmia e tij historiko-kulturore. Edhe banesat janë të tilla sepse dëshmojnë mënyrës së jetesës në një periudhë të caktuar , për një kategori të caktuar shoqërore. Pra është dokument historik.

Shekulli: Cili do të ishte sugjerimi juaj, që monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike t’u jepej rëndësia e duhur nga instancat përkatëse, por edhe më gjerë nga opinioni publik?

Emin Riza: Sugjerimi kryesor është që shteti, dhe sa më shumë qytetarë, të ndërgjegjësohen për vlerën unikale, të patjetërsueshme historiko-kulturore të këtyre dëshmive origjinale. Sa më shumë të bindemi për domosdoshmërinë e ruajtjeve të tyre, aq më e lehtë do të jetë puna. Monumentet janë të një rëndësie të madhe për të tashmen dhe brezat e ardhshëm/ Anila Dedaj, Shekulli.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme