Shpata (shqiptare) e Napoleonit, që iu dhurua Hrushovit

Shpata (shqiptare) e Napoleonit, që iu dhurua Hrushovit

19 April 2019 12:01

Mes shumë e shumë fotove që ekspozohen te “Dinastia Marubi: njëqind vite të studios fotografike shqiptare” kuruar nga Kim Knoppers në Muzuen Marubi është edhe një që shërben si dëshmi historike.

Në foton qëndrore shihet Prenk Bib Doda (1858-1919), një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë politike shqiptare, princ i Mirditës, ndër drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit, komandant i forcave për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, shërbeu dy herë si zëvendëskryeministër – edhe në të parën qeveri shqiptare të Ismail Qemalit – dhe dy herë si ministër i Punëve Botërore.

Në fotografinë e shkrepur në studion e Pietro Marubbi-t, ai pozon me krenari me kostum kombëtar si dhe me shpatën e të atit, Bibë Dodës, dhuratë e Napoleonit III e cila gjatë regjimit komunist, mendohet t’i jetë dhuruar Nikita Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1959. Imazhi është publikuar me këtë sqarim nga vetë muzeu. Ndonëse Marubët kishin një aktivitet tregtar, kjo nuk i ndaloi ata në asnjë moment të eksperimentonin me teknika të reja. Pietro realizoi kolazhe duke prerë fragmente nga fotografi të ndryshme e duke i rifotografuar si një imazh i vetëm. Ai eksperimentoi edhe me fotografinë stereoskopike, e cila u perfeksionua më tej nga Kel Marubi, por nuk gjeti shumë përdorim. Gega, i fundit i dinastisë, përdori për herë të parë në Shqipëri, fotografinë me infra të kuqe.

Image

Por, nuk është vetëm fotoja e princit që ka në fokus ose ruan imazhin e një drejtuesi më armë në atë kohë. Një tjetër imazh që është pjesë e ekspozitës është një fotografi e shkrepur në studion e Kel Marubit, atë të dorëzimit të armëve, në të cilën shohim kapiten Mark Rakën – i dyti nga e majta me dekretin në dorë – pas miratimit të ligjit për dorëzimin e armëve nga qeveria e vitit 1922 dhe bajraktarin e Shalës, Lush Prelën, me veshje malësore, i cili teksa lexon dekretin, bën të dorëzojë armën. Ky imazh, një ndër më të njohurit e arkivës Marubi, për momentin e rëndësishëm historik që paraqet si dhe vlerat artistike e kulturore që mbart, është qendror në njërin nga seksionet e ekspozitës. Tri breza fotografësh kanë bërë portrete në studio të një shumëllojshmërie të gjerë njerëzish, duke filluar nga borgjezia urbane, te barinjtë, imazhe nga koha e Perandorisë Osmane dhe nga Mbreti Zog, te kriminelët, aktorët e artistët e famshëm dhe piktorët.

Në vijim të punës për arkivimin, katalogimin dhe dixhitalizimin e arkivës fotografike të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, databaza ‘online’ e muzeut është pasuruar me 10000 imazhe të reja të periudhës ndërmjet viteve 1860-1950 të koleksionit të Marubëve.

Kjo bëhet e mundur edhe në kuadër të regjistrimit të të dhënave të fotografive në bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore” pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, me qëllimin dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë përmes fotografive ‘online’. Ekspozita e hapur më parë në FOAM Amsterdam i drejtohej një publiku të huaj e njëkohësisht edhe vizitorëve të shumtë ndërkombëtarë që mirëpret ky muze çdo vit. Ekspozita kishte karakter njohës jo vetëm për fotografinë, por edhe për historinë e Shqipërisë të parë përmes tri gjeneratave të Marubëve ndërsa ajo e sapo hapur në muzeun tonë, është një prezantim i punës së studios Marubi, i imazheve që na sjellin Pietro, Keli e Gega. Koleksioni i tyre me mbi 150,000 xhama negativë paraqet interes nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore, antropologjike dhe artistike. Në të zbulojmë ngjarjet, ritualet shoqërore, kostumet folklorike, portretet në studio e jashtë saj përmes të cilëve lexohet historia e vendit tonë, por njëkohësisht edhe zhvillimet teknike të procesit fotografik. Çdo vit muzeu organizon ekspozita që risjellin në vëmendje pasurinë arkivore të fondit muzeal. Fondi i arkivës “Marubi” është akoma i padigjitalizuar e si rezultat i kësaj, edhe për ne, arkiva është një zbulim i vazhdueshëm/Gazeta Shqiptare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme