Në Cetinë, qytetin e themeluar nga nipi i Skënderbeut

Në Cetinë, qytetin e themeluar nga nipi i Skënderbeut

19 April 2019 11:01

Grupi ILIRËT nga Ulqini (Samiu, Gazi, Gëzimi dhe Indriti) nisi kësaj radhe një rrugëtim të ri. Më 9 mars 2019, në ora 12.00 morëm rrugën e Cetinës, dikur kryeqendër administrative, kurse sot më shumë qendër kulturore, historike dhe shpirtërore e Malit të Zi....

Po, pse vallë u zgjodh ky destinacion, çfarë e bën Cetinën aq atraktive për ne, a ka atje gjurmë shqiptare? Të gjitha këtyre pyetjeve duhej gjetur përgjigje. Duke qeshur e luajtur, fillova të këndoj një këngë, të cilën pak e përshtata: … ”o Ulqin, kur ta ktheva shpinën, lash diell e gjeta dimër”… Të gjithë filluan të qeshen ngaqë panë se dielli i ngrohtë i Ulqinit, me tu afruar Cetinës, u bë një mjegull e dendur andaj u desh që veturën ta ngasim shumë ngadalë dhe me kujdes.

Pas pothuaj 2 orë udhëtimi arritëm në Cetinë vendin, të cilin në vitin 1482 e kishte themeluar Ivan Crnojeviqi. Ky, i gjendur përballë presionit të Republikës së Venedikut dhe ekspanzionit të Perandorisë Osmane, detyrohet të braktisë kështjellën e vet në Zhabjak për t´u vendosur së pari në Obod e pastaj definitivisht zë vend në një rrafshinë (sot Fusha e Cetinës), ku më parë ngrit një kështjellë e pastaj edhe Manastirin e Cetinës.

Por kush na ishte Ivan Crnojeviqi? Ivani qe i biri i Stefan Crnojeviqit (apo si ka qejf ta quaj miku im Samiu, Shtjefën Gjuraziut) dhe i motrës së Skënderbeut, Mara Kastriotit. Shumë studiues Crnojeviqët mundohen t´i nxjerrin si vllehë mbase shqiptarë mirëpo, duke njohur rrethinën ku kanë jetuar dhe vepruar si dhe miqësinë dhe bashkëpunimin e madh që kanë pasur me Skënderbeun e Lekë Dukagjinin, shumë lehtë mund të vihej në përfundim se ata s’ishin tjetër veç shqiptarë.

Ivani, nipi i Skënderbeut, sundoi prej vitit 1465-1490, i cili për grua kishte vajzën e Gjergj Aranitit dhe veten e quante Zotërues të Zetës, mirëpo më shumë njihet si themelues i Malit të Zi të sotëm (Stara Crna Gora). Diçka që mendoj se ia vlen të përmendej lidhur me Crnojeviqët, apo thënë shqip Gjurazinjët, është edhe ajo se djali i Ivanit, Gjurgje është themelues i shtypshkronjës së parë të këtyre anëve. Më 1499 përfundimisht Crnojeviqët zbresin nga skena historike dhe për një periudhë kohore 200 vjeçare, të shtrirë mes Lumit Crnojeviq dhe Grykës së Kotorrit, stagnon si shtet (Mali i Zi) dhe në histori kjo familje fare nuk përmendet.

Të ndodhur para Muzeut Historik, u bindëm se ndërtesa ishte mjaft e madhe dhe se do të kemi çfarë të shohim! Sami Flamuri dha idenë që së pari t´i bëjmë vizitë Muzeut Etnografik sepse, sipas asaj çfarë kohë më parë ishte biseduar në “Kuvendim te Gazi”,atje sigurisht se do të dominojnë veshjet shqiptare pasi, vetëm në Ulqin dallojmë 6 veshje të tilla, duke mos ia shtuar edhe ato të vendeve tjera shqiptare, çfarë mund të nxjerrë atë që ky është një muze shqiptar!? Njëzëri u miratua propozimi çka bëri të vazhdohej rruga për 300 metra, aq sa ishte larg Muzeu Etnografik. Bileta hyrëse ishte 2 €. Mbasi shikuam shpejt e shpejt gjërat e ekspozuara në katin përdhé, i cili ishte shumë i pasur për nga eksponatet, u ngjitëm në katin e parë. Aty në të vërtetë kishim çfarë të shohim; veshja ulqinake majtas ndërkaq, në të djathtë renditeshin veshjet e femrës bregasore, e malësores me xhubletë dhe shestaneshës. Kishim dëgjuar se kohë më parë ishte i ekspozuar edhe shembulli i fundit i Tallaganit ulqinak, por askund s´e gjetëm. Pyetëm kustosen e muzeut se ku ndodhet, e cila na shpjegoi se Tallagani ulqinak kishte qenë i ekspozuar në kuadër të ekspozitës tematike që pati marrë fund para ca kohësh dhe se tani ishin të ekspozuara artefaktet e ekspozitës së përhershme. Zhgënjimi ynë u vërejt menjëherë, fytyrat na u vërenjtën sepse kjo (gjetja e Tallaganit ulqinak) kishte qenë shtysa kryesore që iu drejtuam Cetinës. Por, ç’të bësh, edhe pse nuk e pamë Tallaganin, u kënaqëm me pushkën, Arnautkën e punuar filigran diku në një punëtorí armësh në Shkodër.

Dolëm nga Muzeu Etnografik me përshtypje pozitive meqenëse pak të turbullta, sepse nuk e gjetëm atë që në të vërtetë kërkonim. Pas pak u nisëm drejt pikës së dytë të eksplorimit, në drejtim të Muzeut Historik, një godinë mbresëlënëse. Hyrja atje qe 3 €. Ekspozita fillonte me periudhën parahistorike, e cila ishte shumë e pasur sepse në Mal të Zi ndodhen disa lokalitete të kohës së neolitit, vazhdonte pastaj me periudhën antike, mesjetare dhe në fund me kohën e re. Në këtë muze secila periudhë ishte shumë mirë e pasqyruar, por kurreshtjen më tepër na e zgjoi vendi ku ishte e ekspozuar maska dhe gjërat personale të Pashait shqiptar të Shkodrës, Kara Mahmut Pashë Bushatit.

Mahmut Pashai, djali i dytë i Mehmet Pashë Bushatliut, udhëhoqi Pashallëkun e Shkodrës prej vitit 1778 deri më 1796. Sipas Noel Malcolmit, Mahmut Pashë Bushatliu, fatkeqësisht, nuk gëzoi vëmendjen e studiuesve perëndimor, ashtu si pati fatin bashkëkohësi i tij, Ali Pashë Tepelena. Kara Mahmut Pasha ndërmori disa operacione luftarake kundër Malit të Zi, me ç´rast disa herë shkatërroi ca vende. Ky në Cetinë njihet si ndërtues të shtatë puseve të ujit, të cilët edhe sot njihen si Puset e Mahmut Pashës. I joshur me lajkat e Austrisë dhe premtimet se do të shpallet Mbret i shqiptarëve, njëherë rebelon kundër Perandorisë Osmane, por pastaj pendohet. Në operacionin ndëshkimor ndaj Malit të Zi më 1796, edhe pse me ushtri mirë të armatosur dhe numër të mjaftueshëm ushtarësh, Pashai shqiptar pëson disfatën e parë në Betejën e Martiniqit, me ç´rast plagoset. Pas disa muajsh rikuperimi, Kara Mahmut Pashë Bushatliu niset sërish drejt Cetinës dhe, në të arrirë në fshatin Kruse, sulmohet nga ushtarët malazezë ku i shpartallohet ushtria dhe ai vritet. Si trofe lufte ia marrin armët, ia presin kokën, të cilën e ruajnë në Manastirin e Cetinës. Maska e punuar sipas fytyrës së tij, armët dhe disa gjësende të tjera të Pashait, gjenden sot në këtë muze që po vizitojmë.

Cetina ka qenë stacion edhe i ”Mbretëreshës së Malësorëve”, Edit Durham. Prej aty, ajo për herë të parë del në Shkodër ku, si thotë, është mahnitur me këtë vend shumë të gjallë me njerëz që punonin e gjallëronin e jo që rrinin nëpër kafenetë duke pirë duhan, siç ishte rasti me Cetinën! Në periudha të ndryshme kohore në Cetinë ka punuar si fotograf mbretëror Pjetër Marubi dhe, më vonë, edhe Kel (Kodheli) Marubi. Dyqanet kryesore tregtare në këtë vend dikur i kanë mbajtur shqiptarët, kurse sot pothuaj çdo gjë në këtë vend është ndalur; koha thua ka ngecur në vend dhe nuk lëviz. Rrugët janë gati bosh, edhe pse shteti mundohet të investojë.

Erdhëm të gjejmë gjurmë shqiptare në Cetinë dhe gjetëm vendin që themelet ia hodhi nipi i Skënderbeut, Ivani. Studiuesit hahen me mendime rreth prejardhjes së tij (vllahe a shqiptare). Erdhëm e gjetëm shëmbëlltyrën e fytyrës në një maskë të zezë të Pashait shqiptar, Kara Mahmut Bushatit, gjetëm puset me emrin këtij Pashai, që ua ndërtoi qytetarëve të Cetinës , të cilët atëbotë ia paguanin tatimet. Erdhëm e gjetëm veshjet kombëtare shqiptare, në numër më të madh se veshjet e të gjitha nacionaliteteve tjera që jetojnë në Mal të Zi! Gjetëm dhe pamë edhe shumë harta të vjetra që tregonin sa kishte qenë Mali i Zi dikur, gjetëm edhe gjurmë të tjera tërthore shqiptare, që bëhej përpjekje të relativizohen apo anashkalohen.

Duke përfunduar ditën e vizitës në Cetinë, drejtuam veturën drejt Ulqinit-florinit. Kaluam sërish nëpër mjegullën e dendur dhe, pak para perëndimit të diellit, para neve u shfaq deti i pafund dhe dielli i ngrohtë, i cili kishte filluar të shuhej në ujin e paskaj. Atëherë, pothuajse njëkohësisht, na u bë e qartë përse Mali i Zi qëllimin jetësor në histori e ka pasur zgjerimin në drejtim të detit për të dalë nga ato shkrepa të zymta/Gazmend Çitaku, Shqiptarja.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme