Peter Donohoe sjell në Prishtinë atmosferën e skenave botërore

Peter Donohoe sjell në Prishtinë atmosferën e skenave botërore

Fjolla Hajrizaj 19 April 2019 10:32

Pianisti britanik, Peter Donohoe, ka pushtuar skenën e “Chopin Piano Festit”, në koncertin e tetë të mërkurën mbrëma.

Ka dhënë një interpretim energjik siç e cilëson publikun e festivalit e të Kosovës, të cilin e njeh goxha. E ka nisur me veprën “Abegg Variations” të Robert Schumanit, e kompozuar mes viteve 1829-1830, shkruan sot “Koha Ditore”. Emri i veprës besohet se i referohet Meta Abegg, një miku fiktiv të kompozitorit dhe mbiemrin e mikut ai e përdori për motivet e veprës.

Nëpërmjet saj ka shpërfaqur lehtësisht 40 vjet përvojë në skenë që ndërthyejnë shkathtësi stilistike e komanduese të këtij instrumentisti, fitues i një sërë çmimesh përfshirë edhe Medaljen e vitit 1982 në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Tchaikowskit në Moskë.

Bota e tij e gjerë dhe e jashtëzakonshme u dëshmua edhe në tri kohët e “Sonatës KV 310 në A minor” të Mozartit, që interpretohet rrallë, por që është emblematike e kohës, e shoqëruar me dramaticitet të theksuar. Donohoe ka vazhduar me pasionin që ka zbërthyer vepra “Sonata 2, op. 80” në katër kohë e kompozitorit rus Pyotr Ilyich Tschaikowsky.

Për t’i dhënë edhe më shumë nuancë rrugëtimit mes veprash e stilesh ai ka luajtur “Sonata 2, op. 19” të kompozitorit rus, Alexander Sriabin. E ka përmbyllur programin me një vepër monumentale të kompozitorit rus, Modest Petrovich Mussorgsky, me shumë ngjyra, kohë e dramë njëorëshe ku luajti 16 kohët e saj.

Një prej shumë vetave në publik ka qenë edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairí O’Connell. Ai ka thënë se “Chopin Piano Fest” është kryevepër manifestimi, që gjithashtu u ofron mundësi kosovarëve që të dëgjojnë disa prej muzikantëve më të talentuar të kohës.

Pianisti britanik, Peter Donohoe, ka thënë se për të është shumë emocionuese përpjekja e festivalit për të krijuar një traditë të qëndrueshme muzikore, dhe me kënaqësi e pranon çdo ftesë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme